OEAK kundër përpjekjeve për delegjitimimin e qëndrimeve të saj: Llogaridhënia dhe sundimi i ligjit janë jetike për ekonominë

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka shprehur shqetësimin e saj të thellë lidhur me deklaratat e Qeverisë së Kosovës, e cila ka sugjeruar se odat ekonomike nuk duhet të komentojnë çështje që lidhen me sundimin e ligjit dhe llogaridhënien në qeverisje duke i cilësuar ato si të motivuara politikisht.

Në reagimin e saj, Oda Amerikane thekson se për më shumë se dy dekada ka avokuar për një mjedis më të favorshëm afarist në Kosovë dhe beson se çdo keqpërdorim i pretenduar në prokurimin publik minon konkurrencën e drejtë ndërmjet operatorëve ekonomikë dhe mund të çojë në shpërdorimin e fondeve publike duke dëmtuar besimin e tatimpaguesve.

“Odat ekonomike, organizatat e shoqërisë civile, media dhe aktorët e tjerë joshtetërorë kanë për detyrë të avokojnë për llogaridhënie dhe transparencë. Çdo përpjekje për të delegjitimuar qëndrimet e tyre është e papranueshme dhe cenon demokracinë e vendit,” thuhet në deklaratën e OEAK.

Sipas Odës Amerikane, insistimi i pushtetit ekzekutiv për të ndikuar në diskursin e aktorëve të pavarur përbën një shqetësim të madh. Organizata thekson se Kosova ka ndërtuar themele të forta të demokracisë dhe asnjë veprim nuk duhet të cenojë progresin e arritur.

OEAK gjithashtu kërkon që institucionet e drejtësisë të lejohen të kryejnë punën e tyre pa ndërhyrje dhe që të gjithë të bashkëpunojnë me to për të garantuar një sistem të pavarur dhe funksional të drejtësisë, i cili është themeli i një ekonomie të qëndrueshme dhe konkurruese.

Në fund, Oda Amerikane rithekson se çdo individ, pavarësisht pozitës zyrtare, ka obligim kushtetues dhe ligjor për të dëshmuar në praktikë se Kosova është një shtet i së drejtës. /Kosova.info/


Go to TOP