LDK mes opozitës apo koalicionit me VV-në – Analistët ndajnë qëndrime të kundërta për rrugën e partisë pas zgjedhjeve

Pas rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit, pozicionimi politik i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) mbetet një nga temat më të diskutuara në skenën politike, teksa opsioni për një koalicion të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje (VV) po ngjall debate të shumta

Burjani: Koalicioni me VV-në – aventurë pa busull politike

Analisti Blerim Burjani e ka kundërshtuar ashpër mundësinë e një bashkëqeverisjeje mes LDK-së dhe VV-së duke e cilësuar atë si një “aventurë politike pa busull”, që mund ta dëmtojë rëndë subjektin politik.

“LDK, nëse hyn në koalicion, atëherë duhet t’i hyjë riskut dhe aventurave të Kurtit që nuk kanë busull të saktë të sjelljes politike dhe nxjerrjes së vendimeve ‘normale’. Qeverisja ad-hok, pa qëllime dhe pa dije, nuk do t’i sillte asgjë të mirë LDK-së, përveç komplikimeve dhe tensioneve të shumta,” ka thënë Burjani për Kosova.info.

Sipas tij, opozita është alternativa më e mirë për LDK-në në këtë fazë, pasi bashkëqeverisja me VV-në do të mund ta “djegë” partinë si subjekt politik.

Ahmeti: Koalicioni me VV-në, interes shtetëror

Ndryshe mendon gazetari dhe njohësi i zhvillimeve politike, Sylë Ahmeti, i cili thekson se koalicioni mes VV-së dhe LDK-së është opsioni i vetëm për të krijuar institucione stabile dhe funksionale.

“Rezultati i zgjedhjeve ka treguar se partia fituese nuk mund ta krijojë qeverinë pa një koalicion me një nga subjektet shqiptare. Në interes të shtetit të Kosovës është që sa më shpejt të ndërtohen institucionet e reja, dhe LDK si parti institucionaliste duhet të kontribuojë në këtë proces,” ka deklaruar Ahmeti për Kosova.info.

Në të njëjtën linjë, ai ka theksuar se bashkimi eventual në një koalicion opozitar për ta rrëzuar VV-në ose provokimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme do ta dëmtonte LDK-në duke e fuqizuar më tej Vetëvendosjen.

Kastrati: LDK të mbetet në opozitë dhe të thellojë reformat

Ndërkohë, analisti Visar Kastrati ka kërkuar që LDK të qëndrojë në opozitë duke ruajtur “frymën dardane dhe rugoviane” të partisë.

Ai ka vlerësuar se nën udhëheqjen e Lumir Abdixhikut, partia ka kaluar një reformim solid, por rezultati zgjedhor është ndikuar nga mungesa e transparencës dhe qasja e disa mediave.

“LDK duhet të kërkojë llogari nga kryesia dhe degët për këtë rezultat. Partia ka shënuar një rritje të vogël në krahasim me pritshmëritë, prandaj reforma duhet të thellohet dhe pozicionimi si opozitë e fortë është i domosdoshëm,” ka thënë Kastrati.

Dilemat mbi rrugën e LDK-së mbeten të hapura, teksa vendimet e ardhshme pritet të kenë ndikim të madh në zhvillimet politike dhe stabilitetin institucional të Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP