Havolli falënderon qytetarët për mbi 13 mijë vota: Angazhimi im për Kosovën vazhdon pa u ndalur
Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Sokol Havolli, ka shprehur mirënjohjen e tij për mbi 13 mijë votat e fituara në zgjedhjet e 9 shkurtit duke e cilësuar këtë rezultat si dëshmi të vlerësimit për punën dhe angazhimin e tij.
Përmes një postimi, ai falënderoi qytetarët për përkrahjen duke theksuar se edhe pse nuk arriti të zgjidhet deputet, përkushtimi i tij për Kosovën do të vazhdojë me të njëjtin intensitet.
“Çdo ditë do të vazhdojmë të punojmë, me përkushtim dhe vendosmëri, për të mirën e Kosovës, në çdo kapacitet dhe me çdo mundësi që kemi,” shkroi Havolli.
Ai vlerësoi gjithashtu rritjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) duke theksuar se votat e fituara janë rezultat i vizionit të Kryetarit Lumir Abdixhiku dhe punës së palodhshme të strukturave të partisë.
Havolli premtoi se angazhimi i tij për qytetarët dhe vendin do të vazhdojë pa u ndalur duke qenë gjithmonë në shërbim të interesit publik. /Kosova.info/
