Hoti: Refuzimi i Kurtit për t’u paraqitur në prokurori, përdhosje e shtetit dhe institucioneve
Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar ashpër ndaj vendimit të kryeministrit Albin Kurti për të mos u paraqitur në prokurori duke e cilësuar këtë veprim si përdhosje të shtetit dhe institucioneve të Kosovës.
Hoti theksoi se Kosova është ndërtuar me sakrifica të mëdha dhe me mbështetjen e miqve ndërkombëtarë, ndërsa sjelljet e tilla dëmtojnë rendin kushtetues dhe demokracinë, e cila merret si shembull në rajon dhe më gjerë.
“Me këtë veprim, Kurti po i vë njollë shtetit të Kosovës, njësoj siç ka vepruar në të kaluarën kur gjuante gaz në Kuvend apo kur protestonte para shpalljes së pavarësisë,” ka deklaruar Hoti.
Ai ka shtuar se barazia para ligjit është themel i demokracisë dhe askush nuk mund t’i shpëtojë drejtësisë.
“Sot Kosova ka qenë në titujt e mediave ndërkombëtare për këtë sjellje të Kurtit. Nuk ka rrugë tjetër, është vetëm çështje kohe,” përfundoi Hoti.
Reagimi i tij vjen pas polemikave për mosparaqitjen e Kurtit në prokurori, që ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik dhe atë politik. /Kosova.info/
