Refuzoi të nënshkruante tjetër kontratë, `Trainkos` e pushon nga puna

Sami Halimi, një nga punëtorët e hekurudhave doli para gazetarëve për të treguar kundërshtimin, rreth një vendimi të nxjerrë nga punëdhënësi i tij, “Trainkos” që përmes një mesazhi e njoftuan se marrëdhënia e tij e punës është ndërprerë. E kjo sipas vetë ndërmarrjes së hekurudhave të Kosovës, erdhi si shkak i refuzimit që personi në fjalë ta nënshkruante një kontratë të re pas sistematizimit të vendit të punës.

Halimi, tha se në këtë ndërmarrje punoi që nga viti 1982 dhe se i takon gjeneratës së dytë të të punësuarve, që pasoi babanë e tij të ndjerë i cili ishte makinist aty.

U tha gazetarëve se ai refuzoi të nënshkruante kontratë me afat të caktuar, siç ia ofroi ndërmarrja,  meqë tha se pesë kontratat të tjera i kishte me afat të pacaktuar. Gjithashtu ai konsideron se shkelje i bënë edhe kur ia ndryshuan vendin e punës nga punëtorë sigurimi, në punëtorë të aseteve.

Vendimin e konsideron të papranueshëm, derisa paralajmëroi ndjekjen e hapave ligjor rreth rastit.

Me një sqarim kanë dalë menjëherë edhe vetë “Trainkosi”, që thonë se punonjësi nuk është larguar nga puna, por ka refuzuar te nënshkruaj kontratën e punës e cila ka pagën e njëjtë sikurse paraprakja, por me rastin e sistematizimit i është shuar pozita e punës.

“Prandaj kontrata e re vije me terma të ri, detyra tjera të punës për page të njëjtë, sipas Rregullores së Sistematizimit e që derivon nga pozita paraprake e punës”, vijon sqarimi i “Trainkos” rreth rastit.

“Punëtori, Sami Halimi, ka refuzuar të nënshkruaj kontratën e punës pas sistemimit në pozitën Punëtor i Sigurimit Fizik të Objekteve/Aseteve në Transportin e Udhëtarëve, si rezultat i saj ndërmarrja Trainkos sipas procedurave që obligojnë në këtë rast ia ka ndërprere marrëdhënien e punës sipas Vendimit të datës 28.02.2025”, thuhet në njoftim.

Thonë se punonjësi ka qenë i njoftuar së bashkë me punëtorët e tjerë edhe përmes anës së Sindikatës e cila ka qenë vëzhguese dhe pjesëmarrëse në gjithë këtë proces.

“Trainkos” është e vetëdijshme që niveli i pagave nuk është i kënaqshëm, kushtet financiare dhe jo vetëm kanë detyruar ndërmarrjen që të hyjë në ristrukturim e sistematizim të vendeve të punës. Me këtë rast disa punonjës kanë humbur disa beneficione dhe siç duket nuk e shohin të leverdishme që ta nënshkruajnë kontratën e punës ndërsa krijojnë alibi të paqena për ta fajësuar ndërmarrjen dhe për ta arsyetuar vendimin e tyre për mosvazhdimin e marrëdhënies së punës”, thuhet tutje në sqarim.

Ata kanë paraqitur edhe kronologjinë e veprimeve.

“Nga kronologjia e veprimeve të ndërmarra menaxheriale për ristrukturimin e ndërmarrjes Trainkos, veprimet konkrete janë nga ajo e analizimit të hapave për ristrukturim (Raporti Analitik “Analiza për ristrukturimin e Trainkos Sh.A.” të Komisionit me vendim nr. 158, raporti me nr. prot. 248 të datës 16.04.2024), pastaj vlerësimi, analizimi dhe raporti I komisionit pasues me nr. 325 të datës 13.05.2024 (Raportin me nr. 440 datës 01.07.2024) si dhe përgatitja e dokumenteve që pasojnë implementimin e sistematizimit/ristrukturimit të ndërmarrjes”, thotë “Trainkos” në deklaratën e gjatë për media.


Go to TOP