Abdixhiku takon ambasadorin francez Guerot: Fokus në procesin zgjedhor dhe mbështetjen ndërkombëtare
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në Selinë Qendrore ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot, në kuadër të takimeve me ambasadorët e shteteve të QUINT-it.
Gjatë takimit, Abdixhiku dhe ambasadori Guerot diskutuan mbi zhvillimet e fundit në vend, me theks të veçantë në procesin zgjedhor dhe çështjet që lidhen me numërimin dhe certifikimin e rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Kreu i LDK-së theksoi rëndësinë e përfundimit sa më të shpejtë të këtij procesi mbi parimet e demokracisë dhe transparencës. Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Franca i ka dhënë Kosovës, veçanërisht në rrugën drejt integrimeve euroatlantike.
Në takim u diskutua gjithashtu për forcimin e bashkëpunimit midis LDK-së dhe partnerëve ndërkombëtarë duke vlerësuar rolin e tyre kyç në mbështetjen e zhvillimit dhe forcimit të institucioneve demokratike në vend. /Kosova.info/
