Topanica pas zgjedhjeve: Është koha e militantëve që puthin tatuazhe politikanësh

Shkrimtari dhe kandidati për deputet nga Koalicioni për Familje, Imer Topanica, ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve, duke reflektuar mbi procesin dhe sfidat me të cilat është përballur subjekti i tij politik.

Në një postim publik, Topanica ironizoi me militantizmin politik duke marrë shkas nga një video e shpërndarë në rrjetet sociale, ku një qytetar i moshuar me tatuazh të kryeministrit në ikje i përgjigjej një gazetareje me fjalët “jam nga Ferizaj!”, ndërsa një tjetër simpatizant i puthte imazhin e politikanit në krah.

Ai theksoi se ndonëse Koalicioni për Familje kishte një kauzë fisnike dhe një listë të spikatur kandidatësh, nuk arriti të çante përpara për shkak të sabotimeve nga grupe të interesit që, sipas tij, nuk dëshironin të lejonin një forcë të re politike të dilte në skenë.

Megjithatë, Topanica u shpreh mirënjohës për mbështetësit dhe veçoi disa emra nga avokatia, mjekësia, gazetaria dhe letërsia që kishin mbështetur publikisht subjektin e tij. Ai vlerësoi mbështetjen e figurave si avokati Florin Lata, mjeku Selman Hoxha, gazetari Emanuel Demaj dhe shumë të tjerë.

Duke e konsideruar rezultatin si pasojë të një klime të dominuar nga militantizmi politik, ai parashikoi se në muajt në vijim do të bëhet e qartë kush janë humbësit e vërtetë, ndërsa vendi pritet të përballet me një krizë të thelluar.

Në fund, ai la të kuptohet se ky nuk është fundi për Koalicionin për Familje, por fillimi i një rruge të re. /Kosova.info/


Go to TOP