Peci: Politika e jashtme e Kosovës ka pësuar disfatë strategjike, kërkohet urgjentisht rikalibrim me SHBA-të

Ish-ambasadori Lulzim Peci ka bërë një analizë të ndryshimit të qasjes së Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës dhe Serbisë duke krahasuar mesazhet e Presidentit Donald Trump dërguar Aleksandar Vuçiqit në vitin 2021 dhe atë të fundit për Ditën Kombëtare të Serbisë.

Peci thekson se në vitin 2021, Trump e kishte vendosur njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë si element kyç të normalizimit të marrëdhënieve, ndërsa në letrën e fundit të tij Kosova nuk përmendet fare. Në vend të kësaj, Trump ka vlerësuar kontributin e Serbisë për stabilitetin ndërkombëtar dhe ka mbështetur integrimin e saj euro-atlantik.

Duke e konsideruar këtë si një sinjal të qartë për ndryshimet gjeopolitike dhe efektin e politikës së jashtme të Kosovës gjatë mandatit të Presidentit Joe Biden, Peci thekson se qeveria e ardhshme duhet të rikalibrojë urgjentisht marrëdhëniet me SHBA-të.

“Ta kemi të qartë se tek e tutje fjalët nuk kryejnë punë, por veprat e menjëhershme në ndryshimin e politikës së deritanishme,” thotë Peci duke paralajmëruar se injorimi i këtij realiteti mund të ketë pasoja të rënda për interesat shtetërore të Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP