Muharremi: 40 mijë vota për LVV-në në Prizren? Objektiv i paarritshëm

Analisti Shenoll Muharremi ka analizuar kërkesën e kryeministrit për 40 mijë vota në Prizren si pjesë e planit të tij për 500 mijë vota në zgjedhjet e 9 shkurtit duke e cilësuar këtë synim si tejet të vështirë për t’u realizuar.

Sipas të dhënave të fundit, Prizreni ka një popullsi prej 147,428 banorësh dhe një listë votuese prej 188,508 personash, ndërsa pjesëmarrja reale e pritshme në zgjedhje është rreth 68 mijë vota.

Në zgjedhjet nacionale të vitit 2021, LVV kishte marrë 33 mijë vota (47.5%), ndërsa në zgjedhjet lokale të po atij viti kishte fituar vetëm 16,451 vota. PDK, e cila aktualisht qeveris komunën, kishte marrë 14,694 vota në zgjedhjet lokale dhe 11,428 vota në ato nacionale.

Duke u bazuar në këto shifra, Muharremi vlerëson se LVV mund të arrijë rreth 23 mijë vota në Prizren, që është 17 mijë më pak se synimi i 40 mijë votave. Kjo e bën realizimin e këtij objektivi thuajse të pamundur.

Sipas tij, Prizreni mbetet një bastion i rëndësishëm për LVV-në, por rezultatet e deritanishme tregojnë se “rrotullimi” i votave nga partitë opozitare është i vështirë, dhe pritshmëritë e qeverisë janë larg realitetit zgjedhor. /Kosova.info/


Go to TOP