Sejdiu nënshkruan në Librin e Zisë për Horst Köhler: Një burrështetas i veçuar dhe mbështetës i Kosovës

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i shoqëruar nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, ka nënshkruar sot në Librin e Zisë të hapur në Ambasadën Gjermane në Prishtinë, në nderim të ish-presidentit të Gjermanisë, Horst Köhler.

Me këtë rast, Sejdiu vlerësoi rolin e Köhlerit në udhëheqjen e shtetit gjerman në një periudhë të rëndësishme duke theksuar mbështetjen e tij për Kosovën në procesin e pavarësimit dhe zhvillimin e mëvonshëm të vendit.

“Presidenti Köhler ishte një intelektual dhe burrështetas i veçuar, i njohur për urtësinë e tij të jashtëzakonshme, duke lënë gjurmë të përjetshme,” deklaroi Sejdiu.

Ai gjithashtu theksoi se gjatë kohës kur të dy ishin presidentë, ai në Kosovë dhe Köhler në Gjermani, bashkëpunimi mes tyre ishte i një niveli të veçantë.

Ndërkohë, një ditë më parë, Sejdiu i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes së Horst Köhlerit përmes Ambasadës së Kosovës në Gjermani duke shprehur ngushëllimet e tij të sinqerta për humbjen e një prej liderëve të shquar gjermanë. /Kosova.info/

Go to TOP