Lista për Familjen do t’i kushtojë rëndësi të veçantë nënave të reja
Koalicioni për Familjen premtoi që do t’i kushtojë rëndësi të veçantë nënave të reja, në tubimin elektoral të radhës në Fushë Kosovë.
Bartësi i listës, Eman Rrahmani, tha se koalicioni që përfaqëson do të jetë zëri i qytetarëve në Kuvendin e Kosovës, derisa garantojë përfaqësim të dinjitetshëm në shërbim të interesave të qytetarëve.
“Bëhuni pjesë e angazhimit të përbashkët. Do të mbrojmë familjen”, tha Rrahmani, teksa premtoi kushte më të mira shëndetësore.
Partneri i koalicionit, Ferid Agani, tha se zotimet e këtij koalicioni përfshijnë fusha të ndryshme, ku ndër të tjera tha se rëndësi të veçantë do t’u kushtohet nënave të reja, duke i mbështetur financiarisht.
“Koalicioni është themeluar që vlerat e familjeve tona të zënë vend në Kuvendin e Kosovës. Zotimet tona janë në fusha të ndryshme. Rëndësi të veçantë do t’ju kushtojmë nënave të reja, duke i mbështetur financiarisht. Vëmendje do t’ju kushtojmë fëmijëve, që në shkolla të kenë arsimim të mirëfilltë”, ka thënë Agani.
