Muharremi kritikon LVV-në: Pa program qeverisës për mandatin e ardhshëm, vetëm zotime sipërfaqësore

Analisti Shenoll Muharremi ka ngritur pikëpyetje mbi mungesën e një programi të detajuar qeveritar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) për mandatin e ardhshëm. Në një deklaratë publike, ai tha se zotimet e prezantuara deri më tani nuk përbëjnë një program të mirëfilltë, por një broshurë me premtime të përgjithshme.

Muharremi kërkoi qartësi dhe publikimin e një programi konkret, duke u shprehur se një parti e madhe si LVV duhet të ketë një dokument të strukturuar që përmban politika dhe masa konkrete. Ai i bëri thirrje qytetarëve dhe mbështetësve që të ndajnë çdo material zyrtar të mundshëm që tregon planet qeveritare të LVV-së.

“Nëse nuk ka një program, kjo është një situatë për keqardhje. Si mundet partia më e madhe në vend t’i kërkojë qytetarëve 500 mijë vota pa ofruar një vizion të qartë për të ardhmen?”, deklaroi Muharremi.

Kritikat e tij vijnë në një moment kyç të fushatës zgjedhore, kur qytetarët presin më shumë qartësi dhe transparencë nga partitë politike mbi planet e tyre për qeverisje. /Kosova.info/


Go to TOP