AGK dënon pengimin e ekipit të Nacionales dhe linçimin e gazetares Besarta Hoti në tubimin e Vetëvendosjes në Malishevë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ashpër ndaj pengimit të punës së ekipit të gazetës Nacionale gjatë mbulimit të një tubimi zgjedhor të Vetëvendosjes në Malishevë. Gazetarja Besarta Hoti dhe kameramani Kushtrim Zenuni u përballën me pengesa dhe fyerje nga disa pjesëmarrës dhe zyrtarë të Vetëvendosjes, të cilët i ofenduan me fjalinë: “Jeni më keq se Serbia!”.

Situata u përshkallëzua më tej me një sulm publik në Facebook nga përkrahësi i Vetëvendosjes, Filiz Mustafa, i cili linçoi gazetaren Besarta Hoti për raportimet e saj mbi aktivitetet e kësaj partie në disa qytete.

Në një deklaratë të lëshuar, AGK i cilësoi këto veprime si “të papranueshme” dhe theksoi se ato përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë fizike të gazetarëve dhe lirinë e medias.

“AGK-ja dënon ashpër pengimin e punës së ekipit të Nacionales dhe sulmet verbale ndaj gazetarëve. Këto veprime janë të papranueshme dhe dëmtojnë seriozisht parimet e lirisë së shtypit,” thuhet në deklaratë.

Asociacioni u bëri thirrje përfaqësuesve të Vetëvendosjes që të krijojnë kushte të përshtatshme për të gjitha mediat e interesuara për të mbuluar tubimet e tyre zgjedhore.

“Ne u bëjmë thirrje zyrtarëve të Vetëvendosjes të garantojnë sigurinë dhe lirinë e punës së gazetarëve në tubimet e tyre. Respektimi i lirisë së medias është themelor në një demokraci,” përfundoi AGK-ja. /Kosova.info/


Go to TOP