Muharremi: Deficiti tregtar arrin 19 miliardë euro gjatë Qeverisë Kurti II – politikat ekonomike duhen rishikuar
Analisti Shenoll Muharremi ka komentuar të dhënat më të fundit të publikuara nga ASK për tregtinë e mallrave për periudhën 2021-2024, duke theksuar se deficiti tregtar ka eskaluar ndjeshëm gjatë mandatit të Qeverisë Kurti II. Sipas tij, këto të dhëna janë një reflektim i qartë i performancës ekonomike të vendit dhe ngrenë shqetësime të mëdha mbi politikat ekonomike.
Sipas statistikave: eksportet gjatë mandatit kanë arritur në 3.48 miliardë euro (€3,480,509,000); importet kanë arritur në 22.57 miliardë euro (€22,573,440,000) dhe deficiti tregtar ka arritur në 19.09 miliardë euro (€19,092,931,000).
Ndryshimet kryesore krahasuar me periudhën e mëparshme janë: eksportet u rritën me 185.5 milionë; importet u rritën me 1.65 miliardë euro dhe deficiti tregtar u rrit me 1.46 miliardë euro.
Muharremi theksoi se ky disbalancë i madh, ku ekonomia prodhon dhe shet pak, por konsumon dhe blen shumë, ka krijuar presion të lartë mbi bizneset dhe likuiditetin në vend. Ai bëri thirrje për një rishikim të thellë të politikave ekonomike, duke vënë theksin në rritjen e prodhimit vendor dhe uljen e varësisë nga importet.
“Kur shohim këto shifra, bëhet e qartë që politikat aktuale nuk po funksionojnë. Hyrjet tona rriten me miliona, ndërsa daljet rriten me miliarda. Ky trend është i paqëndrueshëm dhe kërkon veprime urgjente,” tha Muharremi.
Kjo analizë nënvizon rëndësinë e transparencës dhe mbështetjes në të dhëna konkrete për të vlerësuar performancën e qeverive dhe për të marrë vendime që ndikojnë në mirëqenien ekonomike të Kosovës. /Kosova.info/
