Muharremi kritikon Konjufcën dhe praktikat e LVV: mos u bëni miq me politikanët, kërkoni llogari
Analisti Shenoll Muharremi ka kritikuar ashpër sjelljen e Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, gjatë një aktiviteti të fushatës në Vushtrri. Ai tha se në tryezën ku qëndronte Konjufca, një figurë kryesore e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidat i mundshëm për të pasuar Albin Kurtin, persona të pranishëm pinin cigare, duke shkelur ligjin për ndalimin e duhanit në ambiente publike.
“Si mund të kërkohet respektimi i ligjit nga qytetarët kur vetë liderët tanë nuk e zbatojnë atë? Kjo sjellje reflekton në shoqëri dhe sidomos te të rinjtë. Kur fëmijët shohin liderët dhe të rriturit duke thithur duhan para shkollave dhe institucioneve, kjo normalizon sjellje të dëmshme,” tha Muharremi.
Në fjalën e tij, ai kritikoi gjithashtu përmendjen nga Konjufca të shpërndarjes së 100 eurove për qytetarët, një veprim që analisti e cilësoi si “korrupsion elektoral”. Sipas tij, ky ishte një manipulim për të siguruar vota duke përdorur buxhetin publik.
“Ato 70 milionë euro janë paratë e qytetarëve dhe jo mjet për të blerë vota. Në vend që të investoheshin për të forcuar ekonominë lokale dhe për të krijuar vende pune, ato para dolën jashtë vendit dhe rritën deficitin tregtar. Kjo qasje dobëson ekonominë tonë dhe rrit presionin ndaj bizneseve vendore, të cilat tashmë përballen me mungesë të fuqisë punëtore dhe kosto të larta,” shtoi ai.
Muharremi theksoi se qytetarët duhet të jenë më kërkues ndaj politikanëve dhe të kërkojnë llogaridhënie për vendimet dhe premtimet e tyre. “Politikanët punojnë për veten dhe për vota. Ndërkohë, qytetarët vuajnë nga ajri i ndotur, shërbimet e dobëta publike dhe kostot e larta në shëndetësi. Nëse i mbështesim verbërisht, jo vetëm që humbasim votën, por edhe të ardhmen tonë,” përfundoi ai. /Kosova.info/
