Muharremi: Shkopi magjik i punësimeve të qeverisë Kurti – formalizim apo rotacion i emigrimit?

Analisti Shenoll Muharremi ka komentuar pretendimet e Qeverisë Kurti për uljen e papunësisë dhe krijimin e mbi 70,000 vendeve të reja pune. Ai thekson se këto shifra nuk janë rezultat i një rritjeje reale ekonomike, por i një procesi rotacioni dhe formalizimi të punësimit, që lidhet ngushtë me emigrimin masiv nga Kosova.

Sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë, nga viti 2011 deri në vitin 2024, rreth 384,508 persona kanë emigruar nga Kosova, kryesisht drejt Gjermanisë. Kjo shifër përkthehet në mesatarisht 27,465 persona që largohen çdo vit, një pjesë e mirë e të cilëve kanë qenë të punësuar në vend para emigrimit.

Muharremi argumenton se largimi i këtyre personave ka krijuar boshllëqe në tregun e punës, të cilat janë plotësuar nga punëtorë të rinj, shpesh të papunësuar më parë ose të angazhuar në ekonominë informale. Formalizimi i këtyre vendeve të punës, i mbështetur nga incentivat e qeverisë, ka krijuar perceptimin se punësimi po rritet ndjeshëm.

Megjithatë, ai thekson se indikatorët kryesorë të tregut të punës mbeten problematikë. Ende 60% e popullsisë në moshë pune është jashtë tregut të punës, ndërsa shkalla e punësimit qëndron nën 40%. Për Muharremin, rënia e raportuar e papunësisë nga 25% në 10% dhe krijimi i vendeve të reja të punës janë të lidhura kryesisht me rotacionin e fuqisë punëtore si pasojë e emigrimit.

Ai paralajmëron se ky trend mund të vazhdojë, me rreth 20,000 persona të rinj që do të punësohen çdo vit për të mbushur zbrazëtirat e lëna nga ata që largohen. Parashikimet tregojnë se deri në vitin 2030, Kosova mund të humbasë edhe 150,000 persona për shkak të emigrimit.

“Përballë këtyre dinamikave, mbetet e rëndësishme që qeveria të fokusohet në krijimin e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm që adreson problemet strukturore të tregut të punës, në vend që të mbështetet në formalizimin e situatave ekzistuese,” përfundon Muharremi. /Kosova.info/


Go to TOP