Zogaj shpall kandidaturën për deputet: synon të sjellë përvojën nga Prishtina në Kuvendin e Kosovës

Nënkryetari i Prishtinës, Dr. Alban Zogaj ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për deputet në Kuvendin e Kosovës, duke u bërë pjesë e garës zgjedhore të 9 shkurtit me numrin 28.

Në një deklaratë publike, Zogaj theksoi përkushtimin e tij për të vazhduar punën në shërbim të qytetarëve duke sjellë përvojën e tij të akumuluar gjatë tre viteve si nënkryetar i kryeqytetit. Ai vuri në pah arritjet e tij në përmirësimin e infrastrukturës, nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe zbatimin e projekteve që kanë pasur ndikim pozitiv në jetën e qytetarëve të Prishtinës.

“Angazhimi im ka qenë dhe do të mbetet për një të ardhme më të mirë për të gjithë. Përvoja ime si ekonomist dhe si udhëheqës në nivel lokal do të kontribuojë në zgjidhjen e sfidave kombëtare dhe në ndërtimin e një Kosove më të fortë, më të zhvilluar dhe më të drejtë,” tha Zogaj.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mbështesin kandidaturën e tij dhe të votojnë numrin 28, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për të realizuar ndryshimet e dëshiruara.

Kandidatura e Zogajt shënon një hap të rëndësishëm në karrierën e tij politike, duke e pozicionuar si një nga figurat kryesore që synon të ndikojë në politikat kombëtare përmes një vizioni të bazuar në eksperiencën praktike dhe rezultate konkrete. /Kosova.info/

Go to TOP