Kryetari i Komunës së Vushtrrisë: Uji s’është ende i pijshëm
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka njoftuar se sulmi në kanalin e Ibër-Lepenc në Zubin Potok ka shkaktuar ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm në Vushtrri dhe disa qytete të tjera, përfshirë Mitrovicën dhe Skenderajin.
Edhe pse furnizimi me ujë është rikthyer, Idrizi theksoi se uji nuk është ende i sigurt për konsum derisa të dalin rezultatet e analizave nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK).
“Ky ka qenë një sulm terrorist që ka goditur drejtpërsëdrejti qytetarët, duke dëmtuar kanalin dhe ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm. Aktualisht, edhe pse ka ujë nëpër ekonomitë familjare, nuk është dhënë drita e gjelbër për ta përdorur atë për pije derisa të përfundojnë analizat nga IKSHPK-ja,” tha Idrizi.
Për të përballuar situatën, komuna ka ndërmarrë masa emergjente për sigurimin e ujit të pijshëm, duke vendosur një cisternë në zonën e Kalasë së qytetit, ku qytetarët janë furnizuar me ujë.
“Po bëjmë maksimumin për të tejkaluar këtë situatë dhe për të normalizuar furnizimin me ujë të pijshëm,” shtoi kryetari.
Idrizi gjithashtu siguroi qytetarët se furnizimi është stabilizuar dhe se nuk ka më rrezik të ndërprerjes, megjithatë, konsumimi i ujit do të lejohet vetëm pas rezultateve përfundimtare nga IKSHPK.
“Defekti është sanuar, ka ujë të mjaftueshëm, por presim analizat përfundimtare që të garantojmë sigurinë e ujit për pije,” përfundoi ai.
