Prestreshi kritikon kryeministrin Kurti: premton fabrikë municioni, por nuk ndërton dot një urë!
Aktivisti politik, Valon Prestreshi ka reaguar ashpër ndaj premtimeve të fundit të Kryeministrit Albin Kurti, duke ironizuar deklaratat për hapjen e një fabrike municioni.
Në një postim të tij, Prestreshi theksoi:
“Pasi që fabrika e keçapit e premtuar nga z. Kurti u ndërtua dhe u funksionalizua, tani ka premtuar që do ta hapë fabrikën e armatimit. Prisja armatim të sofistikuar për këto zgjedhje, por del kryeministri me prraqkë në betejë, e pabesueshme!”
Prestreshi kritikoi ashpër qeverinë për keqqeverisje dhe paaftësi, duke sjellë shembullin e mosrealizimit të urës 50 metërshe Prishtinë-Gjilan, e cila nuk është ndërtuar pas 4 viteve premtime. Ai shtoi se premtimi për fabrikën e municionit është një tjetër shembull i propagandës së kryeministrit dhe të ekipit të tij të këshilltarëve.
“Ky është gjithë potenciali propagandistik i kryeministrit dhe i këshilltarëve të tij të dobët. Në vend që të përmbushë premtime bazike, ai sjell ide qesharake që vetë e bëjnë qesharak,” shtoi Prestreshi.
Në përfundim, Prestreshi tha se opozita po përgatit një ofensivë të fuqishme ndaj keqqeverisjes, ndërsa ironizoi se e gjithë kjo situatë ka bërë që qytetarët të qeshin me vetvetiu. /Kosova.info/
