Guardiola pas rinovimit: Fokusi im te shtimi i titujve
Pep Guardiola ka thënë se shtimi i titujve të Manchester City do të jetë fokusi i tij.
Manchester City ka konfirmuar sot rinovimin e kontratës së trajnerit spanoll, duke e mbajtur atë në krye të ekipit deri në verën e vitit 2027. Marrëveshja përfshin gjithashtu një opsion për një vit shtesë, nëse të dyja palët bien dakord, çka mund ta zgjasë qëndrimin e Guardiolës në “Etihad Stadium” deri në vitin 2028.
Guardiola, i cili iu bashkua City-t në vitin 2016, ka shndërruar ekipin në një nga skuadrat më të suksesshme në Evropë, duke fituar gjashtë tituj të Premier League, katër EFL Cup, dy FA Cup dhe një Champions League.
“Manchester City ka një domethënie të veçantë për mua”, ka deklaruar Guardiola. “Ky është sezoni im i nëntë këtu; kemi përjetuar shumë momente të mrekullueshme së bashku. Ndihem shumë i lumtur që do të qëndroj për dy sezone të tjera”.
Spanjolli ka drejtuar Cityn në 490 ndeshje, duke fituar 353 prej tyre dhe arritur një përqindje fitoreje mbresëlënëse prej 72 për qind.
“Shpresoj që të shtojmë edhe më shumë trofe në koleksionin tonë. Ky do të jetë fokusi im”, ka theksuar ai, duke falënderuar drejtuesit e klubit, lojtarët dhe tifozët për mbështetjen e vazhdueshme.
