Familja Murati reagon ndaj deklaratave të ministrit të bujqësisë: puna jonë është me nder dhe përkushtim
Rinor Murati ka reaguar publikisht në emër të familjes së tij pas deklaratave të fundit të Ministrit të Bujqësisë, të cilat ai i cilëson si të përgjithësuara dhe të paqarta, duke ngjallur dyshime të panevojshme në opinionin publik.
Në deklaratën e tij, Murati theksoi se, megjithëse kishin mirëpritur vizitën e ministrit dhe e kishin falënderuar për të, aludimet mbi kërcënime apo pretendime të tjera nuk kanë asnjë lidhje me familjen e tij. Ai deklaroi se familja Murati është e përkushtuar ndaj punës me nder dhe integritet maksimal, duke i qëndruar besnikë parimeve të tyre.
“Punën, të cilën e bëjmë, e bëjmë me përkushtim dhe këtë mund ta vërtetojë çdo kush që njeh familjen tonë. Supozimet e dhëna në deklaratën e fundit nuk janë të sakta dhe nuk na përkasin,” deklaroi Murati.
Ai gjithashtu shprehu keqardhje për shqetësimin e krijuar, duke theksuar se situata është përkeqësuar nga përfshirja e tij në politikë. “Kjo situatë ka prekur familjen tonë që tashmë përballet me vështirësi të shumta ekonomike, dhe për këtë ndjej keqardhje personale.”
Në përfundim, Murati kërkoi nga të gjithë ata që përfshijnë emrin e familjes në këtë çështje, që ta bëjnë këtë me ndërgjegje dhe respekt për djersën dhe punën e ndershme të familjes Murati.
Deklarata u bë në një moment kur debatet në sektorin e bujqësisë po tërheqin vëmendje të konsiderueshme, dhe kjo përgjigje synon të mbrojë dinjitetin dhe reputacionin e familjes Murati përballë opinionit publik. /Kosova.info/
