Kallëzimi penal për subvencionimin e librave, Nagavci: Do të hidhet poshtë
Ministrja e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas kallëzimit penal të dorëzuar sot nga deputetët e opozitës në Prokurorinë Speciale për tekstet shkollore. Nagavci e ka quajtur të pritshëm këtë gjë duke theksuar se PDK-LDK-AAK, janë përpjekur ta rikthejnë sistemin e vjetër në çdo mënyrë, “por nuk ia dolën”.
“PDK-LDK-AAK, të bashkuar si gjithnjë, sot paskan dorëzuar kallëzim penal ndaj meje për subvencionimin e nxënësve për tekste dhe materiale shkollore. Shumë e pritshme nga këto subjekte, kur e dimë mirëfilli se cilat grupe interesi kemi prekur. Reagimet nisën që atë ditë kur shkëputëm praktikën 20-vjeçare të blerjeve milionëshe të teksteve shkollore me kontrata njëburimore, të mbushura me hallka dhe mundësi abuzimi. Krijuam një proces transparent të subvencionimit të drejtpërdrejtë, ku çdo formë dhe mundësi abuzimi u eliminua”, ka shkruar ajo në Facebook.
Ministrja e Arsimit ka shtuar se kallëzimi penal do të hidhet poshtë, pasi komisioni nuk e ka përfunduar punën dhe nuk është miratuar raporti i tij.
“Ky kallëzim penal do të hidhet poshtë, ashtu si edhe i kaluari që u hodh poshtë javën e kaluar. Nga librat duhet të përfitojnë së pari dhe kryesisht nxënësit, jo grupet e interesit”, ka theksuar Nagavci. /Kosova.info/
