Zyba dhe Rexhaj: Mbledhja për raportimin e kreut të AKI-së e pavlefshme
Anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë nga Lëvizja Vetëvendosje kanë mbajtur konferencë për medie dhe e kanë kundërshtuar thirrjen e mbledhjes së Komisionit nga kryetarja Ganimete Musliu.
“Siç e kuptuam, pati përpjekje për ta mbajtur atë mbledhje dhe pati tendenca të opozitës, në veçanti individëve. Kjo nuk është e pranueshme për përgjegjësitë që i kemi ne anëtarët e këtij komisioni”, tha deputeti i LV-së, Sali Zyba.
Ai shtoi se është përpjekje e kryetares së komisionit për të ngritur një temë në këtë komision. “Po nëse ka të bëjë me medie, ka komisioni të medieve, nëse ka të bëjë me çështje hetimore, janë organet e tjera, është prokuroria”, tha Zyba.
Kurse deputeti tjetër i LV-së, Arbër Rexhaj, tha se ata “nuk mund t’i ndjekin agjendat që janë të pastra opozitare, piskama dhe llahtari për të krijuar tema që rrinë në sfond dhe që godasin institucionin dhe qeverinë”.
Ai shtoi se mbledhja është dashur të thirrej si mbledhje e zakonshme, në kuptimin e një raporti siç e bën drejtori i AKI-së. “Është thirrur qëllimisht e jashtëzakonshme, për të krijuar drama të cilat në ditët në vazhdim do të keqpërdoren”, tha Rexhaj.
Ai shtoi se mbledhja nuk ka kuorum për të vazhduar dhe, sipas tij, është e pavlefshme.
“Drejtori i AKI-s qëndroi brenda, por nuk ka të drejtë të qëndrojë brenda sepse mbledhje nuk filloi, nuk u votuan as rendi i ditës e as procesverbali. Mbledhja nuk ka kuorum. Ajo mbledhje është e pavlefshme”, tha Rexhaj.
