Komisioni Evropian kërkon zbatimin e shpejtë të Marrëveshjes së Ohrit nga Kosova dhe Serbia për normalizimin e marrëdhënieve
Komisioni Evropian do t’u kërkojë Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin pa vonesa hapat për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, dhe të përmbushin obligimet e tjera që rrjedhin nga procesi i dialogut.
Kjo kërkesë është përfshirë në draftet e Raporteve të Progresit për të dyja vendet, të cilat pritet të miratohen në Bruksel në fund të këtij muaji.
Sipas informacioneve nga Radio Evropa e Lirë, raportet kujtojnë se rruga e Kosovës dhe Serbisë drejt BE-së është e kushtëzuar nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve, që tashmë është obligim formal për të dyja palët.
Në këto dokumente thuhet se, megjithëse të dyja vendet kanë marrë pjesë në dialog, kërkohet përkushtim më serioz dhe konstruktiv për të çuar përpara procesin. Gjithashtu, Kosovës dhe Serbisë u kërkohet të shmangin veprimet dhe retorikën nxitëse që mund të destabilizojnë rajonin dhe të mos përputhen me frymën e dialogut dhe pajtimit.
Raporti thekson mungesën e veprimeve nga Serbia për të sjellë para drejtësisë autorët e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë dhe mungesën e hapave nga Kosova për të nisur procedurat për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Në draftin e raportit për Serbinë, zbatimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mbetet pjesë e kornizës për anëtarësim në BE, duke kushtëzuar kapitullin 35, ndërsa kapitulli 23 për sundimin e ligjit dhe normalizimin e raporteve me Kosovën do të ndikojë në dinamikën e procesit të saj të integrimit.
Komisioni Evropian do të miratojë paketën e zgjerimit dhe Raportet e Progresit për dhjetë vende të përfshira në këtë proces gjatë takimit të tij më 30 tetor në Bruksel.
