CorrWatch: Neglizhenca e Ministrisë së Mbrojtjes shkaktoi problemin me ushqim në FSK
Iniciativa CorrWatch ka shprehur shqetësimin e saj për procedurat e Ministrisë së Mbrojtjes lidhur me furnizimin me ushqim për ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Përmes një reagimi në faqen e tyre zyrtare, CorrWatch ka theksuar se Ministria e Mbrojtjes ka neglizhuar furnizimin me ushqim për FSK-në, duke cilësuar këtë si një “shkelje të qartë të nenit 35 të Ligjit për Prokurimin Publik”.
Sipas organizatës, ministria ka zhvilluar një procedurë të negociuar pa njoftuar për kontratë, duke u justifikuar me emergjenca ekstreme. Ata shtojnë se kjo emergjencë është shkaktuar si pasojë e neglizhencës dhe mosveprimeve të vetë ministrisë.
“Duke zhvilluar një procedurë të negociuar pa njoftim për kontratë, duke u thirrur në emergjenca ekstreme, Ministria e Mbrojtjes ka bërë shkelje të nenit 35 të LPP-së. Për më tepër, operatorët ekonomikë të përzgjedhur nuk kanë përmbushur kërkesat e dosjes së tenderit. Më 15 tetor, Ministria ka njoftuar anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit, por bazuar në faktet e paraqitura, shihet se ministria ka dështuar në përmbushjen e obligimeve ligjore,” thuhet në reagimin e CorrWatch.
Përveç kësaj, organizata ka zbuluar shkelje të tjera gjatë procesit të negocimit, duke përfshirë ftesën për negociata vetëm për tre operatorë ekonomikë, duke shkelur nenin 7.1 të Ligjit për Prokurimin Publik, i cili ndalon çdo veprim që kufizon konkurrencën midis operatorëve ekonomikë.
CorrWatch ka bërë thirrje për reflektim nga institucionet përkatëse mbi këto procedura të kundërligjshme dhe ka njoftuar se operatorët ekonomikë të përzgjedhur nuk kanë përmbushur kërkesat e dosjes së tenderit.
