Krasniqi: Eman Rrahmani dhe pasuesit e tij duhet të denoncojnë armiqësinë e LVV, ose të mbyllin “dugajen”

Profesori universitar dhe analisti Milazim Krasniqi ka reaguar ashpër ndaj sulmeve dhe fyerjeve të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) kundër deputetit të partisë, Eman Rrahmani, duke e cilësuar këtë si një pasqyrë të thënies së njohur trockiste se “revolucioni i hanë fëmijët e vet.” Krasniqi e krahason situatën brenda LVV me një familje të çoroditur, ku armiqësitë e brendshme bëhen të dukshme vetëm pasi dikush bëhet “viktimë” e tyre.

Sipas Krasniqit, Rrahmani dhe të tjerët që janë larguar apo janë në proces të largimit nga LVV, si Visar Ymeri, janë përgjegjës për zgjedhjen e tyre që të bashkohen me këtë “familje politike.”

Ai thekson se këta individë kanë qenë të vetëdijshëm për faktin se po hynin në një strukturë me ideologji të thellësisht anti-islame dhe me një lider që, sipas ish-miqve të tij të afërt, është ateist.

Në këtë kontekst, Krasniqi përmend edhe një paralele historike, duke thënë se LVV është ndërtuar mbi parimin e lëvizjes xhonturke, ku grupe të ndryshme, ndonjëherë armiqësore mes vete, bashkohen për t’u përdorur në interes të ideologjisë kryesore.

Në rastin e largimit të Eman Rrahmanit dhe të pasuesve të tij, Krasniqi thotë se është një hap i duhur, megjithëse i vonuar. Sipas tij, ata kanë borxh një sqarim publik dhe kërkimfalje për katër vitet që kanë shërbyer si zëdhënës të një lëvizjeje, që ai e cilëson si armiqësore ndaj bindjeve të tyre.

“Në një sulm të mëtejshëm nga një prej ideologëve të LVV-së, lëvizja e re e formuar nga Rrahmani dhe aleatët e tij, është akuzuar për promovimin e një modeli familjar sheriatik-kuranor, të cilin e përshkruan si një kërcënim për familjen tradicionale shqiptare”,, ka shkruar ai.

Krasniqi përfundon duke u bërë thirrje Rrahmanit dhe aleatëve të tij që të reagojnë ndaj kësaj histerie dhe të denoncojnë hapur të keqen që e njohin brenda LVV-së. Në të kundërtën, ai thotë, ata duhet “ta mbyllin dugajen,” pasi nuk mund të jenë të besueshëm nëse tregohen të frikësuar dhe pasivë përballë kësaj armiqësie. /Kosova.info/

Go to TOP