‘Rojat e kohës’,shënohet 34-vjetori i fillimit të rojës në shkollat e 90-ta

Grupi i aktivistëve “Rojat e kohës“, tash të organizuar në organizatë joqeveritare, shënoi 34-vjetorin e fillimit të organizimit të rojës në shkolla në vitet e 90-ta në vendin tonë.

Njerëz të vullnetit të mirë ishin organizuar 34 vjet më parë për parandalimin e huliganizmit rreth shtëpive-shkolla të atëhershme. Ata si dhe mësimdhënës të asaj kohe janë mbledhur në objektin shkollor “Isa Boletini“ në Podujevë për të kujtuar sfidat e zhvillimit të procesit mësimor, duke e konsideruar domosdoshmëri veprimin e  rojeve të kohës.

“Kemi pasë vështirësi të shumta por falë njerëzve vullnetmirë na kanë dalë në ndihmë edhe mësimi është mbajte edhe në ato kushte”, tha Fadil Latifi, ish mësimdhënës i viteve të 90-ta.

 “Jo që jetonim me ligje të një pushtuesi, por na në lëkurën tonë kuptuam që jetojmë në ligje të aparteidit, kështu që na u krijua bindja dhe ashtu ishte që qenja e jonë biologjike ishte sulmuar”, tha Avdullah Rama,  aktivist i rojeve të kohës.

Ish-aktivisti i cili filloi sigurimin e objekteve të shkollës shqipe në vitet e 90-ta, Shaip Tërnava, thotë se para 34 vjetëve ishte domosdoshmëri.

“Kemi qenë nën okupim e ta krahasosh kohën e atëhershme me të tashmen, faktikisht jemi të lumtur dhe shumë të kënaqur që kemi arritur këtë liri. Edhe si qëllim tash e kemi që çfarë të mundemi të ndihmojmë për të mirën e qytetarëve”, tha Tërrnava.

Aktivistë të OJQ “Roja e kohës“, thonë se nuk duhet të harrohen sfidat e shkollës shqipe në vitet e 90-ta dhe shprehen të gatshëm që të jenë krah i institucioneve me sugjerime për parandalim të dukurive negative shoqërore në shkolla të vendit.

Go to TOP