Shfrytëzimi i fëmijëve nga grupet kriminale, një dëmtim i rendë për shoqërinë kosovare

Në rrugët e Kosovës, një dukuri e trishtë dhe shqetësuese ka marrë përmasa të mëdha, shfrytëzimi i fëmijëve nga grupet kriminale për të lypur.

Pamja e fëmijëve të vegjël që enden rrugëve, të detyruar të kërkojnë lëmoshë, është një dëshmi e hidhur e një realiteti që shoqëria jonë nuk mund ta injorojë më. Kjo dukuri e shëmtuar nuk është thjesht një çështje varfërie apo mungese kujdesi, por një krim i organizuar që synon përfitime të paligjshme në kurriz të pafajësisë së fëmijëve.

Nëse vërejmë me kujdes, këta fëmijë nuk janë të lënë pas dore nga familjet e tyre, por janë shfrytëzuar nga banda të organizuara që i trajtojnë si burim të ardhurash. Këto grupe kriminale përdorin fëmijët si mjete për të gjeneruar fitime të paligjshme, duke i detyruar ata të kalojnë orë të tëra në rrugë, shpeshherë në kushte të rënda dhe pa kujdesin e duhur shëndetësor apo arsimor. Më e keqja është se këta fëmijë humbasin të drejtën për një fëmijëri normale dhe të sigurt, një dëm që do t’i ndjekë për pjesën tjetër të jetës.

Është alarmante që, pavarësisht përpjekjeve të institucioneve shtetërore dhe policore, këto grupe vazhdojnë të veprojnë pa pengesa të mëdha. Kjo është një dështim i sistemit tonë të sigurisë dhe një tregues i qartë se nevojitet një angazhim më i madh për të mbrojtur më të pambrojturit e shoqërisë sonë. Duhet të ketë një reagim të përbashkët nga të gjitha nivelet e shoqërisë, nga qytetarët e thjeshtë, deri te autoritetet më të larta për të shuar këtë fenomen njëherë e përgjithmonë.

Nëse nuk ndërmerren hapa të shpejtë dhe të vendosur, rrezikojmë që ky fenomen të rrënjoset edhe më thellë në strukturën tonë sociale. Fëmijët nuk duhet të shihen si mjete për përfitim, por si të ardhmen e kombit tonë. Detyra jonë është t’u japim atyre një jetë të dinjitetshme, me mundësi për arsimim dhe zhvillim të plotë.

Është koha që t’i themi stop shfrytëzimit të fëmijëve nga grupet kriminale dhe të punojmë për një Kosovë ku çdo fëmijë të ketë mundësinë të rritet në një mjedis të sigurt dhe mbrojtës. Kjo është jo vetëm një çështje drejtësie, por edhe një imperativ moral që ne si shoqëri nuk mund ta anashkalojmë./ E. Demaj – Kosova Info

Go to TOP