Shabani: Në vitin 2023 kemi hetuar mbi 20 mijë raste, realizuar mbi 800 plane operative e shqiptuar 12 mijë gjoba më shumë se në vitin 2022
Nënkoloneli Basri Shabani, në fjalën e tij i ka përmbledhur disa nga objektivat dhe prioritetet e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, përgjatë vitit që lamë pas.
Shabani bëri të ditur se 20 mijë e 831 raste janë administruar, hetuar dhe zbuluar dhe përcjellur në institucionet përkatëse të drejtësisë, mbi 800 plane operative janë realizuar me sukses, janë shqiptuar 12 mijë gjoba më shumë se në vitin 2022 dhe janë pezulluar 2 mijë 413 patentë shofera si dhe nga numri emergjent 192 ka pranuar dhe administruar 309 mijë e 28 thirrje nga qytetarët e po ashtu ka pranuar 2 mijë 956 informacione të tjera nga qytetarët e Kosovës nga platforma digjitale “Lajmëro Policinë e Kosovës”.
Më tutje Shabani tha se nga zyra për marrëdhënie me publikun dhe media janë administruar mbi 20 mijë prononcime janë lëshuar 363 komunikata dhe janë pranuar dhe administruar 3 mijë e 112 kërkesa të ndryshme dhe se janë hapur nënstacione policore.
:Gjatë vitit 2023 është punuar për realizimin e objektivave përmes programeve të cilat kanë pasur synim kryesor përmirësimin në vazhdimësi të parametrave të vendit e sigurisë publike duke i dhënë përparësi luftës së pa kompromis kundër kriminalitetit”, tha Shabani.
“Gjatë kësaj periudhe është menaxhuar suksesshëm veprimtaria e policisë për përmbushjen e misioneve dhe detyrave institucionale të saj, kjo nëpërmjet planifikimit më të mirë të punës, ndjekjes në vazhdimësi të objektivave strategjike të Policisë së Kosovës, zhvillimit te analizave të detajuara, bashkëpunimit më të mirë më organet e prokurorisë, gjykatës dhe të gjithë akterëve relevant, duke mos harruar asnjëherë edhe rolin pozitiv të medieve për informimin me kohë reale të opinionit dhe pasqyrimin e punës policore në aspektet e rendit dhe qetësisë publike.”
“Drejtoria Rajonale në Prishtinë mbështetur në objektivat strategjike ka caktuar prioritetet për kontrollim më të mirë të territorit dhe rritjes së sigurisë publike. Që në fund të këtij viti stafi drejtues o drejtorisë rajonale në Prishtinë ka analizuar në vazhdimësi situatën e rendit dhe sigurisë publike dhe gjendjen e kriminalitetit në shkallën e rajonit”.
“Njohja e situatës kriminale, evidentimi, ndjekja në dinamikën e kryerësve të veprave penale, goditja dhe orientimi ligjor i aktiviteteve të tyre si dhe përforcimi i bashkëpunimit dhe bashkërendimit të veprimeve me struktura tjera të administratës shtetërore ka qenë një drejtim mjaft i rëndësishëm i menaxhmentit rajonal në luftën kundër krimit”.
“Nga drejtoria rajonale ë Prishtinës janë evidentuar 20 mijë 831 raste, të cilat janë administruar, hetuar dhe zbuluar dhe përcjellur në institucionet përkatëse të drejtësisë. Gjatë kësaj periudhe kohore janë realizuar me sukses mbi 800 plane operative nga më të ndryshmet të cilat kanë rezultuar në parandalimin e krimit dhe arrestimin e personave të dyshuar gjithashtu. Ulja e veprave penale kundër jetës dhe trupit, si vepra penale kundër pasurisë është si rezultat i policimit modern parandalues ndërsa arritja e fuqisë së zbulimit nga 75-78 për qind të rasteve ka ardhur si rrjedhojë e punës profesionale dhe të palodhshme nga hetuesit rajonal dhe në kuadër të stacioneve policore duke aplikuar metodat më të avancuara të hetimit, zbulimit dhe sigurimit të rasteve.”
“Po ashtu shkrimi i rreth katër mijë informacioneve inteligjente nga zyrtarë policorë ndikoi në parandalimin dhe zbulimin e veprave penale dhe arrestimin e kryerësve të tyre. Sa i përket situatës se sigurisë në komunikacionin rrugor gjatë vitit 2023 kemi pasur aktivitete të shtuara karshi vitit 2022 si në aspektin vetëdijësues ashtu edhe në atë parandalues dhe ndëshkues, me ç’rast janë shqiptuar edhe 12 mijë gjoba më shumë se në vitin 2022 dhe janë pezulluar 2 mijë 413 patentë shofera.”
“Gjithashtu vëmendje iu është kushtuar edhe sigurisë në shkolla ku për këtë qëllim janë marrë masa parandaluese, janë hartuar plane operative dhe programe të veçanta, janë realizuar shumë ligjerata dhe është bashkëpunuar ngushtë me institucionet e tjera dhe organizata jo fitimprurëse në kryerjen e veprimtarisë në fushën e mbrojtjes dhe të drejtave të fëmijëve.”
“Kemi shkurtuar kohën e reagimit policor në vendin e ngjarjes nga 17 minuta në 2022 në 14 minuta në 2023”, ka deklaruar Shabani.
“Në kuadër të bashkëpunimit dhe shërbimit ndaj qytetarëve nga qendra rajonale operative komunikuese “Alfa Control” nga numri emergjent 192 ka pranuar dhe administruar 309 mijë e 28 thirrje nga qytetarët e po ashtu ka pranuar 2 mijë 956 informacione të tjera nga qytetarët e Kosovës nga platforma digjitale “Lajmëro Policinë e Kosovë”. Nga zyra për marrëdhënie me publikun dhe media janë administruar mbi 20 mijë prononcime janë lëshuar 363 komunikata dhe janë pranuar dhe administruar 3 mijë e 112 kërkesa të ndryshme”.
“Janë hapur edhe nënstacione policore si ajo në Komoran”, shtoi Shabani.
