Kërkohet riformulimi i neneve për Bordin e ATK-së dhe gjobat
Komisioni Parlamentar për Buxhet po mban dëgjim publik lidhur me Projektligjin për Administrimin e Procedurave Tatimore.
Në këtë dëgjim po marrin pjesë edhe përfaqësues të institucioneve financiare e Odave Ekonomike.
Gjatë diskutimit u kërkua që të riformulohen disa nga nenet e këtij projektligji, përfshirë ai për zgjedhjen e Bordit të ATK-së si dhe gjobat që u shqiptohen tatimpaguesve.
Samir Lleshi nga Oda Ekonomike e Kosovës tha se nëse Bordi zgjidhet nga ministri i Financave dhe i raporton këtij të fundi, atëherë i njëjti nuk do të jetë i paanshëm.
“Në momentin që bordin e propozon ministri dhe llogaridhënien ia bënë ministrit, nuk kemi paanshmëri. Brenda bordit duhet të kemi specialistë të fushës të cilët duhet të jenë të paanshëm në shkallën e dytë administrative. Më herët anëtarët e bordit të pavarur i ka propozuar ministri por ata janë emëruar pastaj nga Kuvendi i Kosovës. Ata kanë qenë legjitim dhe të pavarur. Nëse mbetet si është tani në këtë projektligj, vendimet e bordit nuk do të jenë të paanshme”, tha ai.
Lleshi kërkoi po ashtu që ATK gjatë kontrolleve të mos shqiptoi edhe ndëshkime edhe gjoba për tatimpaguesit, por vetëm njërën nga to.
“ATK e ka qëllim edukimin e tatimpaguesit. Në bazë të nenit 100, shumë herë ndodhë që gjatë kontrollit tatimpaguesi do të ketë edhe ndëshkime. Ne propozojmë që nëse në raportin e punës të ATK-së do të ketë ndëshkime, mos të aplikohet edhe gjoba. Tatimpaguesi edhe gjobitet edhe ndëshkohet. Njëra nuk duhet të aplikohet. Neni 100 duhet të riformulohet në tërësi”, shtoi Lleshi.
Mirëpo drejtori i ATK-së, Ilir Murtezi tha se gjithçka në këtë nen është e qartë dhe nuk ka asgjë për t’u hequr ose shtuar.
