Murati: Në 2021-tën patëm tre kriza që kërkuan fonde shtesë

Qeveria e Kosovës gjatë këtij viti është përballur me tri kriza për të cilat ka pasur nevojë për mjete shtesë financiare, tha Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati.

“Kosova edhe sivjet është përballur me pandeminë COVID-19, për të cilën është kërkuar mbështetje shtesë financiare. Kriza e dytë është importimi i inflacionit. Për të lehtësuar këtë situatë, ministria ka ndarë 40 milionë euro për familjet në nevojë dhe e fundit është kriza energjetike. Ministria e Financave për këtë ka ndarë mbi 40 milionë euro” tha ministri në konferencën përmbyllëse për këtë vit.

Në aspektin ekonomik, Murati tha se Kosova ka shënuar përmirësime, duke konsideruar rritjen ekonomike më të madhe që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës.

“Deri në përmbyllje të vitit, deri sa të bëhen të gjitha kalkulimet e nevojshme dhe raportimet e të gjitha të dhënave, pritet që të ketë rritje dyshifrore, 10 për qind reale”, tha Murati.

Rritja ekonomike viteve të fundit në Kosovë ka arritur deri në pesë për qind.

Kjo rritje sipas tij reflektohet edhe nga rritja e qarkullimit të bizneseve gjatë këtij viti. Në krahasim me vitin 2019, qarkullimi i biznesit është rritur për 23 për qind.

Gjatë këtij viti, sipas ekspertëve të ekonomisë, bizneset kanë shënuar rritje të qarkullimit, për shkak të rritjes se remitencave dhe ardhjes në numër të madh të qytetarëve të Kosovës që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, nga muaji janar deri në muajin tetor të këtij viti, vlera e remitencave në Kosovë ka arritur në 955 milionë euro apo 160 milionë euro më shumë se vitin 2020.

Përveç remitencave, shpenzimet e qytetarëve nga diaspora ishin në shumë prej 1.33 miliard euro.

Të hyrat nga Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës, sipas të dhënave që i ka prezantuar ministri, kanë arritur vlerën deri në dy miliardë euro.

Gjatë këtij viti, sipas tij, ka pasur edhe rritje të numrit të të punësuarve.

“Nëse krahasojmë muajin shtator të këtij viti më periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, figurojnë mbi 25 mijë vende të punës më shumë. Prej këtyre 25 mijë vende pune të regjistruara në Administratën Tatimore të Kosovës, janë rezultat direkt i masave të Pakos se Ringjalljes Ekonomike”, tha Murati.

Në bazë të Pakos për Ringjallje Ekonomike, e miratuar në muajin korrik, Qeveria e Kosovës ka mbështetur krijimin e vendeve të punës.

Për tre muaj, qeveria në bazë të kësaj pakoje ka paguar nga 170 euro, për të punësuarit e rinj. Ndërkaq për të punësuarit e formalizuar ka ndarë 10 milionë euro. Secilit person që është regjistruar si punëtor i ri, qeveria i ka paguar kontributet pensionale në vlerë prej 10 për qind të pagës deri në 12 muaj.

Megjithatë, shkalla e papunësisë sipas të dhënave të Agjencisë se Statistikave të Kosovës, ka arritur në 26 për qind.

Kuvendi i Kosovës ndërkaq më 17 dhjetor ka miratuar buxhetin për vitin 2022 prej 2, 7 miliardë euro, që sipas Muratit është buxheti më i lartë që ka pasur Republika e Kosovës ndonjëherë.

Go to TOP