20 parti konfirmojnë pjesëmarrjen në zgjedhjet e 7 qershorit
Teksa po afrohet përfundimi i afatit shtatëditor për deklarimin e pjesëmarrjes në zgjedhjet e 7 qershorit dhe formimin e koalicioneve, shumica e partive politike në Kosovë kanë njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për vendimet e tyre. Sipas KQZ-së, deri tani 20 parti kanë konfirmuar pjesëmarrjen, pesë kanë njoftuar mospjesëmarrje, ndërsa është regjistruar edhe një koalicion mes dy partive politike. Ndërkohë, subjektet e reja politike kanë afat deri më 10 maj për aplikim.
Kur kanë mbetur edhe pak orë nga afati 7-ditor që partitë politike kishin në dispozicion për të njoftuar për pjesëmarrjen apo mospjesëmarrjen në zgjedhjet e 7 qershorit, si dhe për formimin e koalicioneve, këtë obligim e kanë kryer shumica e subjekteve.
Sipas zëdhënësit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi këto obligime vlejnë vetëm për 53 partitë politike të cilat janë pjesë e regjistrit të partive politike në Kosovë.
“Deri më tani kur po flasim, mesdita e ditës së enjte KQZ ka pranuar njoftimin për pjesëmarrje në zgjedhje nga 20 parti politike, mospjesëmarrje nga pesë parti të tjera si dhe formimin e një koalicioni nga dy parti politike”, tha Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.
Sipas Elezit, të dielën në mesnatë përfundon afati tjetër për partitë që nuk janë të regjistruara.
“Afati për deklarim të pjesëmarrjes, mospjesëmarrjes dhe për formim të koalicioneve vlen vetëm për partitë politike, ndërkaq deri me datë 10 maj subjektet e reja politike pra këtu bëjnë pjesë nisma qytetare, koalicione dhe kandidatë të pavarur duhet të dorëzojnë online në KQZ aplikimin e tyre për tu certifikuar për të marrë pjesë në procesin zgjedhor”, tha Elezi.
Ndërkaq më 12 maj përmbyllet afati 11-ditor që partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur t`i dorëzojnë listat me emrat e kandidatëve për certifikim nga KQZ për zgjedhjet e 7 qershorit.
