Zyra austriake kundër Narkotikëve: Dilerët nga Serbia pushtojnë tregun e kokainës në Austri

Grupet kriminale nga Ballkani Perëndimor, kryesisht serbët, kanë marrë nën kontroll tregun e kokainës në Austri, pohon Daniel Lichteneger, kreu i Zyrës austriake kundër Narkotikëve.

Lichteneger, për mediet austriake është shprehur se shitja e kokainës ka kaluar në internet, pra në rrjetin e zi dhe rrjete sociale.

“Ajo që mund të lexohet bardh e zi tregon potencialin e grupeve kriminale, të cilat nuk i shmangen asgjëje”, shpjegon Lichteneger.

Ai thekson se ajo që ka ndryshuar është se grupet kriminale nga Afrika nuk kanë më epërsi mbi tregtinë e kokainës, por grupe nga Ballkani Perëndimor.

“Serbët janë aty janë të parët”, pohon zyrtari i policisë austriake.

Sipas tij, këto grupe janë shumë të organizuara dhe të ngritura si një kompani e suksesshme. Mediet tregojnë se fermerët kolumbianë po prodhojnë më shumë kokainë sesa në epokën e Pablo Escobarit dhe se sasi të reja rekord po kapen nëpër portet evropiane.

Edhe në Austri, numri i përdoruesve të kokainës u dyfishua në një periudhë të shkurtër kohore.

Mbi të gjitha, kartelet kriminale përfitojnë nga shitja e “pluhurit të bardhë”, i cili mbledh shuma miliardëshe.

Dhe ato kartele janë të lidhura me shtetin, siç shkruante Roberto Saviano në librin e tij “Zero, zero, zero – si e sundon botën kokaina”.

“Në një vend ku tregtia e narkotikëve është dega ekonomike më fitimprurëse, shefi më i fuqishëm i asaj dege vlen më shumë se ministri”, thekson Saviano.

Europol thotë se 2 mijë tonelata kokainë prodhohen çdo vit në Kolumbi.

Më shumë se 60 për qind e kokainës vjen nga Amerika e Jugut dhe 40 për qind e asaj nga Kolumbia, gjë që tregon se ai vend është prodhuesi më i madh. Pjesa më e madhe e kokainës vjen në Evropë me anije, përmes porteve të mëdha si Antwerp apo Roterdam.

Gazetari holandez Teun Voeten pretendon se Antwerp është porti më i preferuar i organizatave kriminale.

“Është e pamundur të kontrollosh miliona kontejnerë që mbërrijnë. Një enë përmban fruta dhe një tjetër përmban fruta dhe kokainë”, thotë ai.

Në Austri janë rreth 660 pjesëtarë të policisë, që është rreth 2 për qind e oficerëve të zbatimit të ligjit, të specializuar në luftën kundër krimit të narkotikëve.

Numri i përdoruesve të kokainës në BE është rreth 3.5 milionë, që është 1.2 për qind e popullsisë së përgjithshme. Kjo e bën kokainën, pas kanabisit, drogën e dytë më të përdorur në vendet e BE-së.

Go to TOP