Zbulohen detaje nga një kabllogram gjerman për një vizitë në Kosovë në vitin 1991: Ja çfarë u tha Rugova tre diplomatëve evropianë – pse dikush në Gjermani ‘nuk e pëlqente Surroin’

Michael Martens, një gazetar gjerman dhe autor librash, përmes Twitter, ka bërë publike disa nga detajet e një vizite të tre diplomatëve evropianë (nga Gjermania, Norvegjia dhe Britania e Madhe), të cilët në dhjetor të vitit 1991 kishin udhëtuar nga Beogradi për të vlerësuar situatën në Kosovë.

Në fillim, ai ka bërë të ditur se emrat e diplomatëve i ka fshirë për shkak se dy prej tyre janë ende aktivë në shërbimin diplomatik të vendeve të tyre.

Sipas raportit të diplomatit gjerman, Rugova nuk kishte asnjë kundërshtim thelbësor për ndarjen e veriut të Kosovës me Serbinë, shkruan gazetari gjerman.

“Në çështjen e ndarjes së mundshme të Kosovës, ai (Rugova) u tregua fleksibël, por theksoi se vetëm një komunë (Leposaviq) kishte shumicë serbe”, citon ai diplomatin gjerman.

Diplomati citoi gjithashtu Rugovën të ketë thënë se “ekstraterritorialiteti për manastiret serbe” dhe të drejtat për pakicat sigurisht që do të jepen në një Kosovë të pavarur.

Michael Martens, që është korrespondent i “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, vlerëson se diplomati gjerman kishte përshtypjen se shumica e bashkëbiseduesve të tij në Prishtinë e konsideronin “të dëshirueshëm” bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, “me gjithë vështirësitë ekonomike” që kishte Shqipëria në atë kohë.

“Diplomati me sa duket ka dëgjuar shumë deklarata për një bashkim të mundshëm të Kosovës me Shqipërinë, pavarësisht nga mjerimi ekonomik i fundit”.

Ai citon bashkëbiseduesit e tij të kenë thënë: “Askush në Jugosllavi nuk mendon në terma ekonomikë. ‘Pse duhet ne?’. Problemet ekonomike të Shqipërisë janë të përkohshme”.

Në kabllogramin e tij, thekson gazetari gjerman, diplomati raporton me hollësi edhe për represionin ndaj shqiptarëve në Kosovë: “Shkarkime, arrestime arbitrare dhe bastisje nga policët e korruptuar serbë. Megjithatë, në Kosovë nuk ka kërcënim për uri, citoi diplomati të kenë thënë bashkëbiseduesit e tij”.

“Trojka diplomatike evropiane takoi edhe politikanin dhe intelektualin Veton Surroi. Surroi ishte një bashkëbisedues veçanërisht popullor me diplomatët perëndimorë në Kosovë. Një nga arsyet për këtë është gjuha angleze e tij e rrjedhshme, por edhe shkëlqimi i tij intelektual”.

“Megjithatë, dikush në Bon me sa duket nuk e ka pëlqyer Surroin. Ky dikush – ndoshta Michael Libal (1941-2012), shefi i departamentit të Ballkanit në Ministrinë e Jashtme gjermane atëherë – shkroi me dorë pranë emrit të Surroit në raport: ‘Maksimalist!’”.

“Diplomati raporton për bisedën me Surroin: ‘Pas një hyrje të gjatë historike, S. theksoi nevojën e ndërkombëtarizimit të problemit të Kosovës. Ai vuri në dukje se opsioni jo i dhunshëm deri më tani ka nënkuptuar që çështja shqiptare ka mbetur ‘jashtë lojës’”.

Surroi tha (të paktën sipas raportit gjerman): “Në Evropë, shtete të reja kombëtare po shfaqen, për shembull Ukraina. Në fund të këtij procesi do të ketë edhe një Shqipëri të bashkuar”.

Dhe diplomati gjerman përmblodhi: “Vizita ime e parë në Prishtinë la përshtypjen se zona shqipfolëse (…) është padyshim toka më shpërblyese për punën kulturore gjermane. Nuk ka dyshim se këtu mund të arrihet shumë me pak investime financiare”.

Si përfundim, diplomati ka shkruar: “Për politikën tonë të jashtme, çështja e pakicës shqiptare në Serbi nuk është problem i politikës së jashtme, por problem i të drejtave të njeriut. Trajtimi i Serbisë ndaj shqiptarëve është një turp për të gjithë Evropën”. 

Go to TOP