Gjemba, izolime, kufij. Janë vetëm disa prej mjeteve e procedurave me të cilat përballen refugjatët nëpër botë, sa herë që detyrohen të largohen prej shtëpive të tyre.
Ky realitet i ashpër është shndërruar në instalacionin “Solidariteti”, të prezantuar të enjten në Prishtinë, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Refugjatëve.
Zyra e UNHCR-së në Prishtinë dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) e kanë organizuar ngjarjen, në të cilën kanë marrë pjesë zyrtarë shtetërorë, pjesëtarë të misioneve diplomatike, të shoqërisë civile dhe vetë refugjatë që tani jetojnë në Kosovë. /Radio Evropa e Lirë/
Sipas UNHCR-së, në botë ekzistojnë 120 milionë refugjatë që janë detyruar të ikin nga shtëpitë e tyre dhe i kanë lënë mbrapa vendlindjet.Në vjetët e fundit kanë shpërthyer konflikte të reja – sikurse lufta në Ukrainë dhe ajo në Gazë – ndërsa të vjetrat nuk janë zgjidhur ende.Agron Blakçori, autori i instalacionit, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se puna është krijuar enkas për këtë ngjarje.
Ai ka vendosur të punojë me materiale më të vrazhda – metale dhe gjemba – pasi i tillë është rrugëtimi i një refugjati, por edhe kujtimet që e ndjekin gjithmonë mbrapa.
“Janë shfrytëzuar shufrat metalike, rrjetat, që simbolizojnë kufijtë, izolimet e kështu me radhë”. Zyrtarë të UNHCR-së kanë thënë se edhe moti ekstrem po detyron zhvendosjen e disa komuniteteve dhe po ndikon në rritje të tensioneve.Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilia Rexhepi, e pranishme në ngjarjen e organizuar për refugjatë, ka thënë se Dita Ndërkombëtare e Refugjatëve tregon për gatishmërinë e autoriteteve për t’iu ndihmuar këtyre njerëzve.Arjun Shrestha, shef i misionit të UNHCR-së në Kosovë, ka thënë në hapje të instalacionit se askush nuk vendos nga dëshira të jetë refugjat.
“Për shumë njerëz, është mundësia e vetme e mbijetesës. Refugjatët kanë nevojë për solidaritetin tonë, më shumë se kurrë më parë”.
Sipas tij, Dita Ndërkombëtare e Refugjatëve tregon për vullnetin kolektiv të njerëzimit për t’i kaluar sfidat që lidhen me refugjatët.Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ka thënë se Kosova i ka avancuar shërbimet rehabilituese për refugjatët, për shkak të përvojës që kanë pasur vetë kosovarët disa vjet më parë me konflikte – referencë për luftën në Kosovë më 1999.Olta, refugjate prej Ukrainës, ka treguar se si është shpërngulur në Kosovë një vit më parë, bashkë me tre fëmijët e saj.
“Jeta ime ka nisur prej fillimit. Jam shumë e lumtur që fëmijët e mi janë këtu me mua”, ka thënë ajo para të pranishmëve.Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë edhe disa refugjatë prej Sirisë. Sipas Ligjit për azil në Kosovë, për të fituar statusin e azilit, procedurat marrin gjashtë deri në nëntë muaj kohë. Kosova i ka dy qendra për azilkërkuesit: në Magurë dhe Vranidoll.Silueta të prindërve dhe fëmijëve me valixhe nëpër duar.Në hapje të instalacionit kanë qenë edhe ambasadorë të angazhuar në Kosovë, dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.