Osmani dhe Pratipatti diskutojnë për bashkëpunimin Kosovë–SHBA

Presidentja Vjosa Osmani, priti sot në takim të ngarkuarën me punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Anu Pratipatti. Në takim u diskutuan zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë hapat tutje drejt konstituivit të Kuvendit të ri të Republikës së Kosovës dhe hapat e mëtejmë institucional në përputhje me Kushtetutën.

Në njoftimin e Presidencës theksohet se Osmani e njofto Pratipattin për letrën e saj drejtuar deputetëve lidhur me hapat e ardhshëm për krijimin e institucioneve të reja, në funksion të garantimit të stabilitetit dhe funksionalitetit demokratik të shtetit.

Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë bilateral me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partneri më i rëndësishëm strategjik i Republikës së Kosovës. Me këtë rast, u diskutua gjithashtu edhe për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, gjë që përfundimisht kontribuon edhe në forcimin e paqes e stabilitetit në rajon.

Në takim u diskutua edhe për dy njohjet e reja, respektivisht njohjen nga Kenia dhe Sudani, gjë që u mirëprit si një zhvillim i rëndësishëm drejt fuqizimit të mëtejshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

“Presidentja Osmani dhe znj. Pratipatti riafirmuan përkushtimin e përbashkët për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara”, theksohet në njoftim. /Kosova.info/


Go to TOP