Ohër: Lufta në Ukrainë e bën “Ballkanin e Hapur” domosdoshmëri

Në Ohër të Maqedonisë së Veriut të mërkurën është duke u mbajtur takimi i radhës i nismës rajonale, “Ballkani i Hapur”.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka thënë se “Ballkani i Hapur”, ka mbështetjen e të gjitha bizneseve si mundësi e mirë për rajonin.

“Koha e sfidave të mëdha që kërkon vendime të guximshme, për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit, për një jetë më të mirë, për evropeizmin e rajonit. Janë hapur korsitë në Tabanoc, mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë dhe Qafë Thanë, mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, [Ballkani i Hapur] po jep rezultate në lëvizjen e lirë të mallrave, deri në heqjen e përfundimtare të barrierave”, ka thënë Kovaçevski.

Tutje ai ka theksuar se qëllimi i nismës është integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe bashkëpunimi për të forcuar stabilitetin.

Kryeiministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, dhe ai shqiptar Edi Rama.
Kryeiministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, dhe ai shqiptar Edi Rama.

“Qëllimi ynë është i qartë, Ballkani duhet të jetë pjesë e BE-së. Lufta në Ukrainë krijon mundësi për ndikim të vendeve të treta andaj duhet të bashkëpunojmë për forcimin e stabilitetit… Me rëndësi është që BE-ja të pranojë se zgjerimi i saj është interes strategjik,. Vizioni ynë për Ballkanin është integrimi në BE. Kërkojmë që BE-ja ta pranojë mundin tonë dhe rajoni të bëhet pjesë e BE-së”, ka deklaruar Kovaçevski.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nisma e “Ballkanit të Hapur” synon lidhjen mes njerëzve dhe zgjidhjen e problemeve dhe se mbetet i hapur për të gjitha shtetet.

“Nuk do të thotë që të gjithë ta mbështesin këtë nismë, por është me rëndësi që kjo po merr mbështetje gjithnjë e më shumë. Të gjitha kërkesat për t’iu bashkuar nismës janë të mirëseardhura…Nga ne varet se si do të jetojmë me fqinjët, se a do t’i ndihmojmë njëri-tjetrit apo nëse do të jemi të gatshëm ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Kam dëshirë dhe vullnet të bëjmë punë të mira”, ka thënë Vuçiq.

Lufta në Ukrainë e bën “Ballkanin e Hapur” një domosdoshmëri edhe më të madhe, ka theksuar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Që kur nisi lufta në Ukrainë, unë i kam ditur edhe raportet mes Serbisë dhe Kosovës apo Serbisë dhe Rusisë, por sot jemi këtu sepse duam të vazhdojmë drejt së ardhmes por pa i mbyllur sytë se kemi probleme të pazgjidhura”.

“‘Ballkani i Hapur’ nuk është i Serbisë siç dëgjojmë këtyre ditëve, por i të gjithë njerëzve që jetojnë këtu, është i fermerëve shqiptarë, sa më shumë të afrohemi aq më shumë zgjidhim problemet dhe armiqësitë, aq më shumë kemi mundësi të zgjidhim edhe problemin mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Rama duke theksuar nevojën për më shumë afërsi dhe komunikim që “njerëzit ta kuptojnë se e ardhmja është më e rëndësishme se sa e shkuara”.

Ndërkaq, sipas kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, shtetet e rajonit duhet t’i lënë pas politikat e konfrontimeve dhe të shohin drejt së ardhmes. Ai tha se Mali i Zi do t’i mbështesë të gjitha nismat që kanë për qëllim zhvillimin e rajonit.

“Të kaluarën nuk mund të ndryshojmë, vetëm të ardhmen mund ta ndryshojmë. Çdo gjë që ka për qëllim pajtimin do ta ketë mbështetjen tonë. Dialogu rrit besimin mes nesh dhe të mos frikësohemi prej njëri-tjetrit. Shpresoj se radhën tjetër do të jemi bashkë të gjitha gjashtë shtete, pavarësisht skepticizmin që mund të kemi”, ka deklaruar Abazoviq.

Përmes një videolidhje pjesëmarrësve iu drejtua edhe i dërguari i Posaçëm i SHBA-së, Gabriel Escobar, duke i dhënë mbështetje nismës së “Ballkanit të Hapur”.

“Do të shfrytëzojmë çdo mundësi për të stabilizuar Ballkanin. SHBA-ja nuk e sheh Ballkanin si një pikë e problemeve nga e kaluara, por në prizmin e së ardhmes. SHBA-ja e përkrah nismën ‘Ballkani i Hapur’ sikur edhe të gjitha nismat tjera që promovojnë paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe nëse ka sukses duhet të mbështet nga të gjithë, të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Escobar.

Pritjet e liderëve nga takimi në Ohër

Liderët pritet të nënshkruajnë katër marrëveshje bashkëpunimi – për luftën kundër evazionit fiskal, për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, për bashkëpunim kulturor dhe për bashkëpunim në fushën e turizmit.

Në nismën “Ballkani i Hapur” marrin pjesë tri vende të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut – jashtë saj janë ende: Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina. Megjithatë, në Ohër, në cilësinë e vëzhguesve po marrin pjesë përfaqësuesit e Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Ndërkaq, nikoqiri i takimit në Ohër, kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, tha se “në çdo takim të ri të nismëtarëve dhe miqve të ‘Ballkanit të Hapur’, ne ofrojmë bashkëpunim më të fortë, komunikim më të lehtë dhe kushte më të mira për zhvillim ekonomik”.

“Është kënaqësi që mysafirë tanë në këtë samit janë Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina, të cilët besoj se në të ardhmen do të bëhen pjesë e kësaj nisme të suksesshme”, tha Kovaçevski përmes një postimi në Facebook.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të martën në Ohër se “Ballkani i Hapur” sjell përfitime për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe se kjo iniciativë nuk e zëvendëson integrimin në Bashkimin Evropian, por është një nismë e veçantë e popujve ballkanikë.

Ai pas arritjes në Ohër tha se është një mbështetës i fortë i nisjes së negociatave të BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, porse nisma “Ballkani i Hapur” është në dobi të të gjithëve.

“Kjo nismë është më e mira në rajon në dekadat e fundit”, tha Vuçiq, teksa foli edhe nëse kjo nismë është e hapur për Kosovën.

“Sa i përket dëshirës së kujtdo tjetër për të hyrë në ‘Ballkanin e Hapur’, të gjithë janë të mirëpritur. Ju e quani Republika e Kosovës, ne e quajmë ndryshe. Nëse doni t’i zgjidhim problemet në interes të qytetarëve, a do të kemi mjaftueshëm miell, vaj dhe gjithçka tjetër, atëherë kjo është një pyetje për ‘Ballkanin e Hapur’”, tha Vuçiq.

Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tageltija, deklaroi të martën në Ohër se pret që Presidenca e Bosnjë e Hercegovinës së shpejti të marrë vendim për t’iu bashkuar kësaj nisme.

“Jam këtu sepse e di se pothuajse i gjithë komuniteti i biznesit në Bosnjë e Hercegovinë, shumica e politikanëve, dëshirojnë të jenë pjesë e projektit ‘Ballkani i Hapur’, por edhe entitetet janë të vendosur t’i bashkohen këtij projekti. Unë jam këtu për të përcjellë mesazhin tek anëtarët e ‘Ballkanit të Hapur’ se Bosnjë e Hercegovina po përgatitet dhe dëshiron të bëhet anëtare sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Tegeltija për Radio Televizionin e Republikës Sërpska.

Edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka dhënë sinjale se vendi i tij mund të përfshihet në “Ballkanin e Hapur”.

“Ballkani Perëndimor ka vend në BE dhe Mali i Zi si lider në integrim është i gatshëm të jetë shembull pozitiv në këtë proces”, shkroi ai në Twitter.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka njoftuar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, se refuzon pjesëmarrjen në këtë takim, pasi, siç ka thënë, Kosova mbetet e angazhuar në Procesin e Berlinit.

Kurti ka thënë më herët se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja”, sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë më herët se “Ballkani i Hapur” nuk është ndërtuar mbi parimet e bashkëpunimit rajonal dhe se në këtë nismë, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk trajtohen në mënyrë të barabartë.

Në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur një sërë marrëveshjesh, që thuhet se kanë për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.

Marrëveshjet, mes tjerash, përfshijnë lëvizjen e qytetarëve të tyre me letërnjoftime, bashkëpunim në lehtësimin e importit dhe eksportit të mallrave, si dhe një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punës.

Tre nismëtarët e “Ballkanit të Hapur”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e kanë ideuar këtë koncept në vitin 2019 me qëllim të, siç është thënë, krijimit të një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.

Go to TOP