NATO nënshkruan protokollet për pranimin e Suedisë dhe Finlandës

Të 30 shtetet e NATO-s kanë nënshkruar protokollet për pranimin për Suedinë dhe Finlandën, duke bërë që vendimi për anëtarësimin e këtyre dy shteteve të dërgohet në kryeqendrat e aleancës për miratim legjislativ.

Ky vendim konsiderohet hap historik që është nxitur nga lufta e paprovokuar e Rusisë në Ukrainë.

“Kjo është ditë e mirë për Finlandën dhe Suedinë dhe një ditë e mirë për NATO-n”, tha shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë konferencës së përbashkët me ministrat e Jashtëm të Suedisë dhe Finlandës.

“Me 32 shtete në aleancë, ne do të jemi edhe më të fuqishëm dhe njerëzit tanë do të jenë edhe më të sigurt teksa ne përballemi me krizën më të madhe të sigurisë në dekada”, shtoi ai.

Vendimi i Suedisë dhe Finlandës për t’iu bashkuar aleancës ushtarake erdhi pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në muajin shkurt dhe hapave të tjerë agresivë që Kremlini ka ndërmarrë në rajon. Opinioni publik në këto dy shtete nordike shpejt përkrahu anëtarësimin në NATO pas nisjes së pushtimit.

Secili shtet i aleancës ka sfida dhe procedura të ndryshme legjislative që duhet të kalojë dhe mund të duhen edhe disa muaj të tjerë që zyrtarisht këto dy shtete të bëhen anëtare të NATO-s.

“Mirëpres një proces të shpejtë të ratifikimit”, tha ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto.

Turqia fillimisht kishte vendosur veto për anëtarësimin e dy shtete, me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i akuzoi këto dy shtete se po u ofrojnë strehë militantëve kurdë që operojnë në Turqi dhe akuzoi Helsinkin dhe Stokholmin për promovimin e “terrorizmit”.

Pas negociatave, Erdogan tha se ai do të heqë dorë nga kundërshtimi i tij, por la të kuptohet se megjithatë ai ende mund të bllokojë procesin e anëtarësimit të Finlandës së Suedisë, nëse këto dy shtete nuk përmbushin premtimet e tyre, premtime që nuk janë bërë publike.

Comments

Be the first to comment on this article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Go to TOP