Musliu kundër Muratit: S’mund të bëhet Kryetar Kuvendi ai që fyen luftën e UÇK-së
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër ndaj mundësisë që Hekuran Murati të propozohet për Kryetar të Kuvendit të Kosovës.
Ajo tha se nuk mund të udhëheqë Kuvendin një njeri që sipas saj ka fyer gjakun dhe sakrificën mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës.
“Nuk votohet për Kryetar Kuvendi një njeri që fyen gjakun dhe sakrificën mbi të cilat është ndërtuar ky shtet. Kur dikush quan luftën e lavdishme të UÇK-së ‘vetëm tre muaj të një ushtrie guerile’, dhe e krahason atë me kosto buxhetore, nuk është çështje buxheti, është mungesë respekti. Është përçmim i historisë, i familjeve të dëshmorëve, i invalidëve, i veteranëve, dhe i çdo shqiptari që e di çfarë çmimi kemi paguar për lirinë që sot ai e shfrytëzon për t’i fyer ata që e fituan”, shkroi Musliu.
Sipas saj, dikush që nuk respekton themelin e shtetit – luftën për çlirim – nuk mund të drejtojë Kuvendin e Republikës së Kosovës.
“Ky nuk është vetëm qëndrim politik, është qëndrim moral dhe kombëtar”, përfundoi Musliu. /Kosova.info/
