Macron dhe Scholz i bëjnë thirrje Rusisë për armëpushim të menjëhershëm

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, i kanë bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, që të pajtohet për një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë.

Dy liderët evropianë zhvilluan një bisedë telefonike 75-minutëshe me Putinin gjatë së shtunës.

“Biseda është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë”, tha zëdhënësi i Scholzit, por shtoi se pjesëmarrësit janë pajtuar që të mos japin detaje lidhur me diskutimet që kanë pasur.

Zëdhënësi tha se kancelari Scholz po ashtu ka biseduar më herët me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, lidhur me situatën.

Ndërkaq, Kremlini tha se Putin ka dënuar, atë që e ka cilësuar si “shkelje flagrante” të ligjit humanitar ndërkombëtar nga forcat ukrainase, edhe pse në deklaratë nuk u saktësua se për çfarë shkelje ka folur Putini.

“Putin i informoi ata për situatën reale”, tha Kremlini. “Në veçanti për një mori faktesh të shkeljeve flagrante të normave të ligjit humanitar ndërkombëtar të forcave të sigurisë së Ukrainës”, u tha në deklaratën e Kremlinit.

Go to TOP