Futbollisti i Ganës ndalohet të hyjë në Kanada

Mesfushori i Ganës, Thomas Partey, është ndaluar të hyjë në Kanada para ndeshjes së parë të Kombëtares së tij në Kupën e Botës, për shkak të akuzave për përdhunim në Mbretërinë e Bashkuar.

Ish-lojtar i Arsenal është përballur me akuza serioze që përfshijnë pesë raste për përdhunim dhe një për sulm seksual, të ngritura nga Policia Metropolitane e Londrës në korrik të vitit 2025. Ai është deklaruar i pafajshëm në seancat gjyqësore dhe i ka mohuar të gjitha akuzat.

Megjithatë, në fillim të këtij viti ndaj tij janë ngritur edhe dy aktakuza të reja për përdhunim, për të cilat gjithashtu është deklaruar i pafajshëm.

Sipas “The Athletic”, Partey është ndaluar nga autoritetet kanadeze për të hyrë në vend, ku Gana do të luajë ndeshjen e parë kundër Panamasë më 17 qershor.

Pavarësisht situatës ligjore, ai ishte pjesë e skuadrës prej njëzet e gjashtë lojtarësh të Ganës për Botërorin 2026 dhe kishte qëndruar me ekipin gjatë përgatitjeve në Cardiff. Madje ai kishte mbajtur shiritin e kapitenit në një ndeshje miqësore ndaj Uellsit, e cila përfundoi 1-1.

Go to TOP