Irani paralajmëron “çmim të lartë” pas raportimeve për ushtrime të mundshme mes ShBA-së e Izraelit

Një zyrtar i lartë ushtarak i Iranit citohet të ketë përmendur “çmim të lartë” për agresorët të shtunën, raportuan mediet shtetërore iraniane, pas raportimeve se ShBA-ja dhe Izraeli kanë plane për ushtrime të mundshme ushtarake për t’u përgatitur për t’i sulmuar qendrat e zhvillimit bërthamor të Iranit, nëse dështon diplomacia.

“Ofrimi i kushteve për komandantët ushtarakë që t’i testojnë raketat iraniane me caqe të vërteta do t’u kushtojë agresorëve një çmim të shtrenjtë”, shkroi mediumi “Nourneës”, i lidhur me organin më të lartë iranian të sigurisë, duke cituar një zyrtar të paidentifikuar ushtarak, shkruan Reuters, përcjell Kosova.info.

Përgatitjet mes Shteteve të Bashkuara e Izraelit, që nuk janë raportuar më parë, e theksojnë shqetësimin e Perëndimit rreth bisedimeve të vështira bërthamore me Iranin, për të cilat Presidenti Joe Biden kishte shpresuar se do ta ringjallin marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, e cila ishte braktisur nga paraardhësi i tij në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump.

Por zyrtarët amerikanë dhe evropianë kanë shprehur zhgënjim pas bisedimeve javën e kaluar për shkak të kërkesave të gjera nga qeveria e re iraniane, duke i shtuar dyshimet në Perëndim se Irani po luan për të fituar kohë përderisa po e zhvillon programin bërthamor.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA) tha javën e kaluar se Irani e ka filluar procesin e pasurimit të uraniumit me nivel të pastërtisë deri në 20 për qind me një grumbull të 166 makinave të avancuara, IR-6, në një qendër të ndërtuar brenda një mali, duke e bërë atë më të vështirë për t’u sulmuar.

Go to TOP