Halili: Shkelje ligjore në RTK për favorizim të një subjekti privat – kërkohet hetim urgjent
Drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili, ka bërë një deklaratë publike të ashpër duke denoncuar atë që e quan “shkelje të procedurave ligjore dhe elemente serioze korruptive” në pranimin e produksioneve të pavarura në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Sipas Halilit, më 6 gusht 2025 ai ka pranuar gabimisht një email, i cili zbulonte udhëzime të detajuara nga Udhëheqësja e Zyrës Ligjore në RTK drejtuar një subjekti privat mbi mënyrën e përgatitjes së aplikimit për bashkëpunim me RTK, pa pasur një konkurs publik dhe pa miratim nga menaxhmenti.
Halili theksoi se ky veprim bie ndesh me nenin 12 të Ligjit për RTK (Ligji Nr. 04/L-046), ku përcaktohet qartë se produksionet e pavarura pranohen vetëm përmes konkursit publik. Ai shtoi se edhe kompensimi përmes sekondave të marketingut, pa një proces të hapur e konkurrues, përbën shkelje ligjore.
“Ky veprim është veçanërisht shqetësues në një kohë kur RTK po përballet me sfida financiare dhe punëtorët ende nuk kanë marrë pagat e korrikut,” u shpreh Halili.
Drejtori i Radio Kosovës pretendon se subjekti privat në fjalë ka përfituar në të kaluarën mbi 2.2 milionë euro nga RTK përmes marrëveshjeve të dyshimta, shpesh pa ndjekur procedurat e rregullta të prokurimit publik.
Ai u ka bërë thirrje Bordit të RTK-së, Agjencisë Kundër Korrupsionit, hetuesisë dhe Prokurorisë që të hetojnë urgjentisht rastin, të verifikojnë procedurat dhe të sigurojnë transparencë në çdo bashkëpunim të ardhshëm të transmetuesit publik.
Halili gjithashtu akuzoi “kumbarin e kësaj ngjizjeje korruptive” dhe një “tygjare mediale” për përpjekje për ta diskredituar publikisht përmes rrjeteve sociale duke paralajmëruar se do t’i trajtojë me detaje në komunikimin e tij të ardhshëm publik.
“Qëndroj i përkushtuar për të mbrojtur integritetin tim personal dhe institucional dhe për t’u përballur me çdo akuzë me fakte dhe dokumente të plota,”, deklaroi ai.
Në fund, Halili theksoi se si Drejtor i Radio Kosovës mbetet i angazhuar për ligjshmëri, transparencë dhe mbrojtjen e interesit publik në çdo proces që përfshin transmetuesin publik të vendit. /Kosova.info/
