Gjykimi ndaj Salih Mustafës, sot dëgjohet kundër-dëshmia e një dëshmitari të prokurorisë

Në gjykimin për krime lufte që po zhvillohet ndaj Salih Mustafës në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të mërkurën pritet të dëgjohet kundër-dëshmia e një dëshmitari të prokurorisë.

Këtë kërkesë të prokurorisë, e kishte miratuar trupi gjykues i kryesuar nga Mappie Veldt- Foglia, raporton “Betim për Drejtësi”.

Ndryshe, në këtë rast, edhe ZPS edhe mbrojtja kishin përfunduar paraqitjen e çështjeve të tyre.

Ndryshe, aktakuza ndaj Salih Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020, ku ngarkohet për krime lufte.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. /BetimipërDrejtësi

Go to TOP