Zymberi: Prishtina, qendër e rëndësishme kulturore dhe historike

Udhërrëfyesja turistike Lavdi Zymberi, në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, tha se Prishtina është kthyer në një qendër të rëndësishme kulturore dhe historike që ofron shumë për vizitorët vendas dhe të huaj.

“Ka shumë gjëra që mund t’i shohin vizitorët. Prishtina është jo vetëm kryeqytet, por edhe një qendër kulturore. Kemi disa muze, edhe pse disa prej tyre janë në renovim, si Muzeu Kombëtar megjithatë, vizitorët mund të shohin Muzeun Etnologjik, Reporting House, Muzeun e Fëmijëve të Luftës dhe Muzeun e Fëmijëve të vrarë gjatë luftës”,  tha Zymberi.

Ajo theksoi se një ndër pikat më të vizituara është Katedralja “Nënë Tereza”, nga ku ofrohet një pamje e bukur e qytetit. Ajo gjithashtu ftoi turistët që të vizitojnë edhe brendësinë e Bibliotekës Kombëtare, një ndër ndërtesat më të veçanta në arkitekturë, e cila shpesh shihet vetëm nga jashtë.

“Ecja në shesh është gjithashtu një përvojë e veçantë, sepse ka shumë statuja dhe përkujtimore, si ajo e Nënë Terezës, Skënderbeut dhe disa pllaka përkujtimore të tjera” , tha Zymberi.

Ajo rekomandoi që vizitorët të shkojnë edhe përtej qytetit. “Nëse del pak nga Prishtina, mund ta vizitosh Ulpianën e vjetër,  një vend arkeologjik me rëndësi të madhe historike”.

Ndërsa fliste për objektet e trashëgimisë kulturore, ajo përmendi edhe Hamamin e Prishtinës, i cili aktualisht është i mbyllur për vizitorë, përveçse kur zhvillohen ngjarje kulturore të caktuara.

“Prishtina është një qytet ku mund të ecësh lehtë dhe të zbulosh shumë. E gjithë Kosova ka një histori të pasur për t’u treguar dhe për t’u parë. Fatmirësisht, turizmi nuk është përqendruar vetëm në Prishtinë. Ka një përhapje edhe në qytete të tjera si Prizreni, Peja dhe Gjakova, ndërsa interesimi po rritet edhe për pjesë të tjera të vendit”, pohoi Zymberi.


Go to TOP