Zvarritja nga Komuna e Vitisë rrezikon pagat e mësimdhënësve – kërkohet veprim i menjëhershëm
Komuna e Vitisë përballet me një situatë alarmante, pasi pagat për mësimdhënësit nuk po ekzekutohen për shkak të papërgjegjshmërisë së kryetarit Sokol Haliti.
Dr. sc. Arsim Ademi, Zëvendësministër në MAShTI theksoi se, gjatë një takimi me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, u njoftua se zgjidhja e këtij problemi është në duar të kryetarit, i cili duhet të bëjë korrigjimet e nevojshme të shpenzimeve.
“Ministria ka dhënë disa herë njoftime dhe rekomandime që nga gushti, duke kërkuar që të krijohet një linjë buxhetore rezervë për detyrimet gjyqësore dhe të rregullohen pagat, por kryetari vazhdon të injorojë këto kërkesa. Nëse korrigjimet nuk bëhen, Komuna e Vitisë rrezikon të përjashtohet nga lista e pagave, duke lënë mësimdhënësit pa pagesa”, ka shkruar Ademi.
Ademi theksoi se, zgjidhja është e thjeshtë, por kërkon vullnet nga kryetari Haliti për të vepruar. /Kosova.info/