AUV apel fermerëve: Rritni masat e biosigurisë për të parandaluar Murtajën Afrikane të Derrave
Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë (AUV) u ka bërë thirrje të gjithë fermerëve që mbajnë derra të rrisin kujdesin dhe të zbatojnë me përpikëri masat e biosigurisë, për shkak të përhapjes së Murtajës Afrikane të Derrave (ASF) në vendet e rajonit.
Sipas AUV-së, edhe pse deri më tani sëmundja nuk është konfirmuar në Republikën e Kosovës, rreziku i përhapjes mbetet i lartë, ndaj aktivizimi i masave parandaluese është thelbësor për mbrojtjen e fermave dhe sektorit të blegtorisë.
Duke u mbështetur në Ligjin nr. 2004/21 për Veterinarinë, AUV kërkon nga fermerët të kufizojnë hyrjen e personave dhe automjeteve të panevojshme në ferma, të dezinfektojnë rregullisht hyrjet, pajisjet, automjetet dhe këpucët, të mos lejojnë kontaktin e derrave me derrat e egër, të mos përdorin mbetje ushqimore për ushqimin e derrave dhe të blejnë kafshë vetëm nga ferma të regjistruara me dokumentacion veterinar.
Po ashtu, fermerët ftohen të njoftojnë menjëherë veterinerin ose Zyrën Rajonale të AUV-së në rast se vërejnë ngordhje të papritura, temperaturë të lartë, mungesë oreksi, dobësi apo shenja të tjera të pazakonshme te derrat.
AUV thekson se Murtaja Afrikane e Derrave nuk transmetohet te njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin e tyre, por është një sëmundje shumë ngjitëse për derrat, e cila mund të shkaktojë humbje të mëdha ekonomike nëse nuk respektohen masat e biosigurisë.
Agjencia bën të ditur se po monitoron vazhdimisht situatën epidemiologjike dhe do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve në Kosovë, duke theksuar se bashkëpunimi dhe përgjegjësia e çdo fermeri janë vendimtare për të parandaluar hyrjen dhe përhapjen e kësaj sëmundjeje. /Kosova.info/
