Bislimi dhe Ambasadori i Finlandës diskutojnë procesin e integrimit evropian dhe heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës

Gjatë ditës së sotme, Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mirëpriti në takim ambasadorin e Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen. 

Palët biseduan rreth procesit të integrimit evropian të Kosovës dhe synimet e objektivat e vendit tonë në rrugën përpara. Zëvendëskryeministri theksoi se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian mbetet prioritet dhe se nevojiten hapa konkret tutje në trajtimin e aplikimit dhe marrjen e pyetësorit. 

Përgjatë takimit u bisedua edhe mbi momentumin rreth procesit të zgjerimit si dhe Planin e Rritjes, në të cilin Kosova ka qenë vendi i parë që ka përmbushur hapat e kërkuar e të nevojshëm si dorëzimi i agjendës së reformave. 

Zëvendëskryeministri trajtoi dhe nevojën e heqjes sa më parë të masave ndëshkuese nga ana e Bashkimit Evropian, të cilat mbeten të padrejta. Ai e informoi ambasadorin edhe mbi zhvillimet e fundit dhe procesin e dialogut. 

Nga ana e tij, ambasadori Nissinen rikonfirmoi marrëdhëniet e fuqishme mes dy vendeve tona dhe mbështetjen e palëkundur ndaj Kosovës. Zëvendëskryeministri e falënderoi për bashkëpunimin e vazhdueshëm e të thellë dhe takimin e sotëm. /Kosova.info/

Go to TOP