Fermerët duan fond të sigurimit të kulturave nga fatkeqësitë natyrore
Fatmirësisht, kultura bujqësore e fermerit Gani Dobratiqi i kanë shpëtuar breshrit të fundit.
Edhe fermerë të tjerë të kontaktuar në zonat e Prishtinës, Lipjanit dhe Obiliqit nuk kanë raportuar dëme.
Megjithatë, Dobratiqi thekson rëndësinë e krijimit të një fondi për përballimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore me kompensim të plotë të dëmeve.
“Fatmirësisht, në rajonin e Prishtinës nuk ka shkaktuar dëme. Ajo që kërkohet është ulja e granteve dhe krijimi i një fondi për përballimin e fatkeqësive natyrore, pasi bujqit nuk preken vetëm nga breshëri, por edhe nga fatkeqësi të tjera natyrore, siç janë zjarret. Vetëm vitin e kaluar, në muajin korrik, mijëra hektarë tokë janë djegur në Istog dhe në zona të tjera si pasojë e zjarreve”, tha për RTK, fermeri Dobratiqi.
Edhe nga Sindikata e Bujqve të Kosovës thonë se dëmet nga breshëri në komunat si Istogu, Skenderaj dhe Klina janë të mëdha, ndërsa krijimi i një fondi për sigurimin e kulturave bujqësore do të ishte një garanci për gjithë fermerët.
“Më herët kemi bërë thirrje që të krijohet një fond ose të arrihet një marrëveshje me ndonjë kompani që ofron sigurimin e kulturave bujqësore, në mënyrë që fermerët të kenë një mbështetje më të madhe përballë dëmeve të mundshme”, ka thënë Tahir Tahiri, kryetar i Federatës Sindikale të Bujqve.
Njohës të bujqësisë thonë se, fatkeqësisht, bujqit në Kosovë po përballen me rreziqe çdo vit, duke bërë thirrje për më shumë mbështetje ndaj tyre.
“Është imediate që në projeksionin e buxhetit të parashihet një vijë e veçantë buxhetore për raste të tilla fatkeqësish, në mënyrë që bujqit të mos demotivohen”, ka thënë Imer Rusinovci, ekspert i Bujqësisë.
Pas dëmeve të shkaktuara në kultura bujqësore, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka theksuar se mbetet e angazhuar dhe do të jetë pranë fermerëve.
