ZRrE mohon raportimet për bllokimin e sistemit të komenteve: Të gjitha reagimet e qytetarëve janë pranuar dhe trajtuar
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka reaguar pas raportimeve në opinionin publik për bllokimin e sistemit të pranimit të komenteve nga qytetarët gjatë periudhës së fundit.
Përmes një njoftimi zyrtar, ZRRE ka sqaruar se të gjitha komentet dhe reagimet e dërguara nga qytetarët janë pranuar dhe janë marrë në shqyrtim duke theksuar se nuk ka pasur asnjë ndërprerje apo bllokim në funksionimin e adresës së dedikuar për pranimin e komenteve.
“Pas verifikimeve të kryera, konfirmojmë se nuk është evidentuar asnjë problem teknik që do të pengonte dërgimin apo pranimin e komenteve. Të gjitha komunikimet janë trajtuar me seriozitet dhe janë regjistruar në sistemin tonë,” thuhet në reagimin e ZRRE-së.
Institucioni ka theksuar se mbetet i përkushtuar për të garantuar transparencë dhe qasje të hapur për të gjithë qytetarët dhe palët e interesuara duke siguruar që çdo koment apo ankesë e dërguar do të marrë përgjigje.
ZRRE fton qytetarët që të vazhdojnë të dërgojnë komentet dhe sugjerimet e tyre, duke garantuar trajtim profesional dhe të pandërprerë të çdo komunikimi. /Kosova.info/
